Fontana, rival i Ujkanit për një vend te Novara
Dikur ishin miq, tashmë janë konkurrentë të ashpër për një vend në formacionin e parë. Kjo ka ndodhur me portierin e Kombëtares shqiptare, Samir Ujkani, dhe veteranin Alberto Fontana. Të dy futbollistët janë njohur bashkë te Palermo, ku portieri shqiptar u transferua në verën e vitit 2007. Aty gjeti Fontanën dhe Ujkani ishte i detyruar të bënte rolin e sfidantit si portier i tretë. Por tashmë duket se kanë ndryshuar rolet. Shqiptari u transferua në merkaton e verës te Novara, në kategorinë e tretë italiane, me synimin për më shumë praktikë loje. Por tashmë është Fontana ai që e ka ndjekur nga pas, pasi braktisi Torinon e Serisë B, ku kishte rolin e portierit të tretë. Më i favorizuar në këtë konkurrencë është portieri shqiptar. "Besoj se do të kem mundësitë për të luajtur edhe unë. Novara ka marrë një portier të ri nga Palermo, Ujkanin, dhe unë jam zgjedhur për ta ndihmuar të përmirësohet. Objektivi ynë është të ngjitemi në Serinë B, kampionati është i gjatë dhe do të kem edhe unë shanset e mia", u shpreh dje Fontana.