E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani numri 2 i kryesisë së radhës

13/12/2010  Unioni Ndërkombëtar Demokrat

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë (FRPD), Gerti Bogdani, në mbledhjen e organizuar nga Forumi Rinor i Partisë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar (IYDU), në të cilën morën pjesë 132 përfaqësues të forumeve rinore të partive të qendrës së djathtë nga 40 vende të botës, u zgjodh zëvendëspresident i IYDU-së, ku President i radhës u zgjodh Daniel Walther, nga Forumi Rinor i CDU-së në Gjermani. Zgjedhja e Bogdanit në strukturën drejtuese të IYDU-së vjen pas një angazhimi intensiv personal dhe të FRPD-së në aktivitete ndërkombëtare, duke marrë një rol aktiv në takimet e organizuara nga IYDU dhe duke ngritur lart imazhin e të rinjve shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Sa i përket vendimit për zgjedhjen e tij në kryesinë e radhës së IYDU-së, Gerti Bogdani, thekson se “Lajmin e prita me gëzim të veçantë, pasi këto zgjedhje konfirmojnë edhe njëherë njohjen e arritjeve të qeverisë shqiptare në arenën ndërkombëtare, si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, roli i rëndësishëm në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, avancimin e proceseve integruese në Bashkimin Evropian dhe finalizimin e liberalizimit e vizave”. Më pas Bogdani shtoi: “Në fokus të angazhimit si pjesëtar i kryesisë së radhës të IYDU-së do të jetë Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor. Më konkretisht, synim parësor do të jetë përfshirja sa më e zgjeruar e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit në axhendën e pasur të aktiviteteve të IYDU-së në mbështetje të forcimit të lidershipit të ri në politikë dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në politikë-bërje”. IYDU përbën organizatën rinore të International Democratic Union (IDU) apo Unionit Ndërkombëtar Demokrat, në të cilin Partia Demokratike e Shqipërisë e përfaqësuar nga Kryeministri Berisha, u anëtarësua me votim unanim më 26 qershor 2008, gjatë takimit vjetor të organizuar nën drejtimin e Presidentit francez Nicolas Sarkozy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›