E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti: “Rama spekulon. Konsensusi i Tahirit dhe Dokles, sipas procesverbalit të Konferencës”

10/12/2010  Kuvendi i Shqipërisë përgënjeshtron kryetarin e PS-së

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përgënjeshtron deklaratat e fundit të kreut të selisë rozë për arsyet e shtyrjes së seancës parlamentare, duke kujtuar se në Konferencën e fundit të Kryetarëve është diskutuar dhe rënë dakord paraprakisht për mundësinë e shtyrjes së seancës së ditës së enjte, për shkak të situatës së fatkeqësisë natyrore. “Në këtë Konferencë ishin prezent përfaqësuesit e Partisë Socialiste, të cilët ndryshe nga zoti Rama, dhanë mirëkuptimin e tyre për mundësinë e shtyrjes së seancës plenare, dhe treguan më shumë ndjeshmëri ndaj fatkeqësisë natyrore”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit të Shqipërisë. Për të vërtetuar këtë, kjo zyrë publikon edhe procesverbalin e mbledhjes së kësaj Konference. “Në rast se është çështje domosdoshmërie për ta shtyrë seancën, për shkak të situatës emergjente dhe angazhimeve të deputetëve, besoj se do të gjeni konsensus të plotë edhe në Konferencë, edhe nga grupi parlamentar për të mos zhvilluar seancë fare”, mësohet të ketë deklaruar deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri në këtë konferencë. Edhe deputetit tjetër socialist, Namik Dokle, ka deklaruar gjithashtu të njëjtin konsensus për këtë çështje. “Nëse situata është aq e rëndë, sa të mos zhvillohet seancë të enjten, ne jemi dakord”, citojmë nga procesverbali lidhur me deklaratat e Dokles. Dje kreu i PS-së, Edi Rama, e cilësoi pezullimin e seancës si frikë të demokratëve për tu përballuar me akuzat e socialistëve. Kjo deklaratë është cilësuar nga Kuvendi spekulim i kreut të opozitës. “Spekulimet që zoti Rama bëri edhe sot, si dhe në ditët më parë, në këto kohë të vështira të fatkeqësisë natyrore në Qarkun e Shkodrës, janë së paku joserioze”, thuhet në deklaratë. Për sa u takon pretendimeve të socialistëve për diskutimin nga mazhoranca të amendamenteve të buxhetit 2011, me qëllim përmirësimin e situatës në zonat e përmbytura, Zyra e shtypit sqaron se PS-ja nuk ka dorëzuar asnjë amendament. “Zoti Rama, siç e ka zakon, edhe kësaj radhe nuk ka sjellë në Kuvend asnjë ofertë, asnjë dokument apo shkresë, siç e parashikojnë procedurat parlamentare, në lidhje me situatën e fatkeqësisë natyrore. Për rrjedhojë, në Kuvend nuk ka asgjë për të diskutuar me këtë kërkesë të Partisë Socialiste”, përfundon ky njoftim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›