E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra i shpëton mbytjes,frikë nga epidemitë

08/12/2010  Largohet uji nga 550 ha nën ujë dhe 13 500 ha të tjerë. Shëndeti publik jep alarmin

SHKODER- Tërheqja dhe rënia e nivelit të ujit vazhdon në zonat e përmbytura të Shkodrës, megjithatë përmirësimi i situatës është ende i papërfillshëm sidomos në fshatrat e Nënshkodrës. Sipas të dhënave të ditës së martë, uji është tërhequr nga rreth 550 hektarë tokë të përmbytur, duke lënë ende të mbuluar rreth 13500 hektarë të tjerë.

Ende nën ujë

Ndërkohë niveli i ujit në komunat e përmbytura ka rënë me rreth 30 centimetër, çka është një ndikim i vogël në përmirësimin e situatës në mjaft fshatra të Nënshkodrës ku niveli i ujit është mbi dy metra. Nisur nga kjo situatë, ende tepër e vështirë, krahas shpërndarjes së ushqimeve, forcat e ushtrisë dhe të policisë kanë punuar për të evakuar me dhjetëra familje të tjera nga banesat që ndodhen me prezencë të theksuar uji brenda tyre. Nga tetë komunat e përmbytura në Nënshkodër, problematike mbetet situata në komunat Velipojë, Ana e Malit, Dajç e Bushat, ku ka mjaft fshatra të izoluar dhe të zhytur në ujë. Situata duket më e mirë në lagjet e përmbytura të qytetit të Shkodrës, ku uji është tërhequr në mbi 100 metra të tjera, ndërkohë që nivelit i ujit është ulur me rreth 20 centimetra, në pjesët ku ende ka shumë ujë. Në lagjet e përmbytura, Shtabi i Emergjencave të Bashkisë së Shkodrës ka shpërndarë edhe ditën e martë ndihma, konkretisht 1700 bukë, 800 bidonë uji 8 litërsh dhe 300 pako me ushqime të ndryshme.

Frika nga epidemitë

Ndërkohë inspektorët e shëndetit publik kanë bërë analiza të shumta të ujit të pijshëm tek ujësjellësi i qytetit, për të marrë masat e duhura në rast të konstatimit të përzierjeve me ujërat të zeza. Sipas drejtuesve të shëndetit publik, rezultatet e analizave kanë nxjerrë se uji i pijshëm është brenda parametrave normalë të konsumimit. Ndërkohë dalja e ujërave të zeza mbi sipërfaqe nëpërmjet pusetave të rrugëve, ka bërë që Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të fillojë klorifikimin e të gjitha zonave ku ka përmbytje. Klorifikimi po bëhet për të mënjanuar epidemitë që mund të shkaktohen nga bashkimi i ujërave të bardha me ujërat e zeza.

Mbledhje me shtabin e emergjencave për situatën

Përmbytjet, prefekti kërcënon me masa drejtorët indiferentë

ELBASAN- Prefekti i Elbasanit organizoi një takim të zgjeruar me shtabin e emergjencës, si dhe drejtorët e drejtorive në këtë qark për tiu përgjigjur sa më mirë situatës së krijuar nga përmbytjet. Prefekti ka bërë një prezantim të situatës së krijuar në prefekturën e Elbasanit dhe më pas me tone kritike u është drejtuar drejtorëve të disa drejtorive, të cilët i janë shmangur kësaj gjendjeje. Deliallisi ka kërcënuar se do ti drejtohet ministrave përkatës e do të kërkojë deri edhe shkarkimin e tyre nëse shmangin mobilizimin që kërkohet. Mësohet se disa drejtorë nuk i janë përgjigjur telefonit të Drejtorisë së Emergjencave në ditët kur në Elbasan ka pasur probleme dhe kjo ka irrituar prefektin që ka vendosur të kërkojë masa ndaj tyre për moskorrektësinë dhe indiferentizmin në situatën e krijuar prej shirave dhe rrëshqitjes. Më pas shefi i emergjencave në qark Mustafa Arapi prezantoi gjendjen në shkallë prefekture ku ka evidentuar përmbytjet, shembjet dhe problemet që janë konstatuar në Elbasan nga moti i keq. Gjithashtu ai raportoi edhe për masat e marra dhe ndihma që u është dhënë familjeve në nevojë. Zonat më problematike të hasura në Elbasan janë rrethi i Gramshit dhe i Librazhdit ku janë regjistruar rrëshqitje dherash, bllokime rrugësh dhe evakuim të 14 familje. Problematike janë shfaqur edhe rrugët nacionale si ajo Cërrik-Gramsh e bllokuar nga uji, kthesa e Murrashit në Elbasan-Librazhd për shkak të rënies së inerteve, dhe bllokimit të hekurudhës dhe të segmentit rrugor Librazhd-Përrenjas në kthesën e Dragostunjës. Në Gramsh ende disa fshatra janë të bllokuar nga dëmtimi i rrugëve rurale. L. Lleshi

Ministri i Shëndetësisë në Elbasan

Vasili: Dhjetëra mjekë në gatishmëri për përmbytjet

ELBASAN-Janë 200 mjekë e profesorë që kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar familjet në nevojë është shprehur ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë një konference të zhvilluar në Elbasan nga Fakulteti i Infermierisë i Universitetit të Elbasanit dhe Qendra Spitalore Xhaferr Kongoli. Vasili deklaroi se mbi 200 mjekë e profesorë të njohur nga spitalet e Tiranës e Elbasanit kanë shprehur iniciativën për të dhënë ndihmën e tyre pa përmendur këtu qindra infermierë e bluza të bardha që gjithashtu janë solidarizuar me këtë rast. Veç ndihmës humanitare, mjekë e infermierë në mbarë vendin, tha ministri, janë të gatshëm të kontribuojnë financiarisht e materialisht familjet e dëmtuara. Ministri e bëri deklaratën në Konferencën e Tretë Shkencorë të Mjekësisë në Elbasan. Në referatet e mbajtura, mjekë e profesorë të ardhur nga vende të ndryshme prezantuan para stafit mjekësor dhe të pranishmëve teknikat bashkëkohore në ndërhyrjet kirurgjikale dhe për të gjitha llojet e tjera të sëmundjeve. Konferenca u zhvillua nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Elbasanit. L. Lleshi

Në komunat më të prekura të Fierit

Kryqi i Kuq, ndihma ushqimore

për familjet e përmbytura

FIER- Dhjetëra familje në 2 komunat më të prekura të Fierit, Levan dhe Frakull kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga vërshimi i ujërave të lumit Vjosë. Dëmet janë financiare dhe janë shkaktuar kryesisht nga dalja e shtratit të lumit Vjosë. Menjëherë pranë familjeve të dëmtuara kanë mbërritur pushtetarë dhe përfaqësues të opozitës, të cilët kanë parë nga afër dëmet e shkaktuara, por pa premtuar asnjë ndihmë deri tani. Të parët që kanë ofruar ndihmë ushqimore kanë qenë përfaqësuesit e Kryqit të Kuq dega Fier, të cilët shpërndanë ndihma ekonomike për familjet e prekura nga këto përmbytje. Këto ndihma sipas sekretarit të Kryqit të Kuq në Fier Nazmi Bregasi janë kryesisht ndihma ushqimore dhe veshmbathje. “Në këto kushte, ka thënë ai, dega e Kryqit të Kuq po bën shpërndarjen e ndihmave në veshmbathje dhe ushqime kryesisht në miell, vaj, sheqer, oriz, makarona, veshmbathje. Ndoshta kjo ndihmë është tepër modeste, por është një mënyrë sensibilizimi për të gjithë ata shqiptarë dhe fierakë në veçanti të afrohen dhe të kontribuojnë për tu ardhur në ndihmë vëllezërve tanë të përmbytur jo vetëm në Fier, por edhe në zonat e veriut”. Veç familjeve që përfituan këto ndihma janë edhe dhjetëra të tjera që kanë pësuar dëme të konsiderueshme, të cilat presin ndihma nga komunat ku ata banojnë. Këto familje përmbyten sistematikisht nga ujërat e lumit Vjosë, të cilat vitet e fundit kanë qenë të shpeshta.

A. Damini

Forcat detare, mjete e personeli

në ndihmë të Shkodrës

DURRES- Forcat detare shqiptare kanë vënë në dispozicion të zonave të përmbytura nga reshjet e shiut gjatë javës së kaluar mjete, forcat dhe personel të kualifikuar, të cilat kanë kryer dhjetëra operacione ndihme e shpëtimi. Zëdhënësi i kësaj flote me qendër në Durrës, Shefqet Kërcelli, ka bërë të ditur se që nga data 30 nëntor e në vijim, kanë qëndruar në zonën e përmbytur anija “Iliria”, 3 anije “Archangel” të ardhura në gusht të këtij viti, 2 mjete zjarrfikëse, 1 autobot, 1 autobus, 3 Lançe, skuadër me shofer dhe një ekip i specializuar varkëtarësh. Së bashku me ta është dërguar për të ndërhyrë në situatë emergjence edhe një ekip shumë i kualifikuar i polumbarëve të qendrës së zhytjes në Pashaliman. Gjatë një jave, 4 anijet e Flotës Detare, në kushte të vështira të motit, në një det 3-4 ballë, me shërbim operacional të pandërprerë në 24 orë, çuan nga vendbanimi i Shëngjinit deri në bregun e Velipojës rreth 70 ton ushqime, miell, ujë, karburant, veshmbathje, ushqim për blegtorinë, etj. Kërcelli ka pohuar se operacioni për furnizimin e komunës së Velipojës, zonë e izoluar nga rrjeti automobilistik ka qenë ndër më të vështirët, por që është përballur me shumë sukses. Për përkushtimin e ekipeve të flotës është deklaruar edhe komandanti i këtij operacioni, Kapiten i Rangut të II Festim Derri. Ai ka theksuar se “I gjithë personeli pjesëmarrës në këtë operacion ka qenë i përkushtuar maksimalisht për ti ardhur në ndihmë banorëve, të cilët janë përballur me fatkeqësinë natyrore të përmbytjes së tokave e shtëpive”. Efektivat e Flotiljes Detare të Veriut, të Jugut, Vendqëndrimit të Shëngjinit, të shtabit të Flotës Detare janë drejtuar direkt nga komandanti i Forcave Detare K/Admiral, Kudret Çela. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›