E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraelitët, jashtë Gazës brenda 24 orëve

Izraeli shpreson që t‘i ketë
nxjerrë trupat ushtarake nga
Gaza deri në momentin e
betimit presidencial të Barak
Obamës. Në qytetin më të madh
të Gazës, rrugët u mbushën dje
me njerëz dhe makina, ndërsa
banorët kanë nisur të pastrojnë
gërmadhat dhe copat e jetës që u
shkatërruan gjatë bombardimeve
të tri javëve rresht. Tanket
izraelite janë vendosur në periferi,
ndërsa qendra është tërësisht
e shkatërruar. Goditjet e
tankeve i kanë shndërruar në gërmadha
ndërtesat më të larta të
qytetit dhe nëpër rrugë gjen
vetëm gropa, ose grumbuj tullash
muresh të shembur. Pjesa më e
madhe e ndërtesave të rëndësishme,
përfshi edhe godinën e
Parlamentit, është shkatërruar.
Ministria e Brendshme e Hamasit
bëri të ditur se Hamasi mbetet
nën kontroll të sigurisë së
brendshme me policinë e armatosur
që ka dalë rrugëve dhe
punonjës të ndryshëm që po
merren me verifikimin e dëmeve.
Ndërsa një zyrtar i lartë evropian
tha se Evropa nuk do të japë ndihmë
për rindërtimin e godinave
dhe infrastrukturës së Gazës, derisa
vendi të mos qeverisej nga
liderë të pranuar nga Bashkimi
Evropian. Ky i fundit e klasifikon
Hamasin që ndodhet në qeverisje
në Rripin e Gazës si organizatë
terroriste dhe nuk dëshiron
që të ketë punë me të. Izraeli e
ndërmori sulmin e tij më 27 dhjetor,
në përpjekje për të ndaluar
goditjet me raketa të militantëve
të Hamasit ndaj palestinezëve.
Qeveria izraelite njoftoi pushimzjarrin
të dielën e kaluar dhe
disa orë më pas edhe Hamasi
vendosi që të reshte së shtëni.
Planin e tij, Izraeli e bëri të ditur
gjatë një darke në prezencën e
liderëve evropianë që kanë
ardhur në rajon për t‘u përpjekur
të konsolidojnë pushimzjarrin e
brishtë mes Izraelit dhe Hamasit.
Izraeli ka ndërmend që të largohet
shpejt, madje brenda ditës së
sotme, që është edhe dita e
betimit presidencial të Obamës.
Një pjesë e mirë e trupave kanë
lënë Gazën, por të tjerë janë pozicionuar
në afërsi me kufirin në
anën izraelite, në pritje të urdhrit
për të rihyrë në Gaza, nëse një
urdhër i tillë do të jepet. Me
largimin e trupave në këtë moment
për Amerikën, Izraeli do t‘i
kursejë administratës së re një
fillim të menjëhershëm të punës
me konfliktin në Lindjen e Mesme.
Vetë Obama ka deklaruar se
kjo çështje do të jetë një nga prioritetet
kryesore të politikës së tij
të jashtme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›