Vatnikaj: “Brenda muajit përfundojmë procesin e kompensimit financiar”
Eljona Ballhysa
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Pronave ka bërë të ditur për gazetën “Albania” se brenda muajit janar do të përfundojë procesi i kompensimit financiar të ish-pronarëve. Sipas tij, ditën e hënë përfundon procedura e shqyrtimit të të gjitha vendimeve dhe dosjeve të dërguara nga ish-pronarët që kanë aplikuar për vitin 2008. Sipas tij, menjëherë do të nisë përllogaritja e parave që përfiton secili pronar dhe më pas do të dalë dhe numri i pronarëve që do të përfitojnë nga fondi prej 500 milionë lekësh i vënë në dispozicion nga qeveria në buxhetin e vitit 2008. Për këtë fond kanë aplikuar 750 ish-pronarë, ndërkohë që burime nga AKKP-ja bëjnë të ditur se do të përfitojnë kompensim jo më shumë se 150 pronarë.
Shpërndarja
Sipas Vatnikajt, brenda muajit do të përfundojë shpërndarja e fondit prej 500 milionë lekësh. Për të realizuar procesin e shpërndarjes, Agjencia e Pronave do të bazohet në Vendimin Nr.1343, datë 04.06.2008, të Këshillit të Ministrave. Në vendimin e qeverisë parashikohet që të përfitojnë për vitin 2008 ish-pronarët, prona e të cilëve është njohur për kompensim dhe që nuk kanë përfituar më parë. Kjo shtresë do të kompensohet në bazë të radhës kronologjike të përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij, sipas viteve. Në bazë të vendimit të qeverisë, ish-pronarët do të përfitojnë kompensim financiar vetëm për 200 m2 të sipërfaqes së caktuar për kompensim. Kompensimi do të realizohet në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës. Pronarët që janë përfshirë në procesin e kompensimit kanë paraqitur në dosjen e tyre: deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për njohjen dhe kompensimin e pronës së bashku me planvendosjen përkatëse, dëshminë e trashëgimisë, prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm. Bashkë me këto dokumente është e nevojshme paraqitja edhe e një fotokopjeje të noterizuar të pasaportës, certifikatës së lindjes ose letërnjoftimit të personit që ka prokurën e përfaqësimit, si dhe mandatpagesa.
Verifikimi
Pas marrjes së dosjes me dokumentacionin e mësipërm, zyra e Agjencisë së Pronave në Qendër bashkëpunon me zyrat rajonale të saj në rreth për të verifikuar dosjen e dorëzuar nga ish-pronari. Më tej, zyra rajonale e pronave verifikon dosjen dhe vendimin e dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendimet e tjera për këtë subjekt të shpronësuar.
Kryen verifikimin në terren të gjendjes së pronës dhe mban procesverbalin përkatës. Në procesverbal përcaktohet vendndodhja në hartë e pronës dhe përcaktohet bashkë me pronarin 200 metër katror e kësaj prone për të cilën ky pronar do të marrë kompensim financiar dhe ish-pronari nënshkruan për pjesën e tokës që do të kompensohet. Më pas llogaritet vlera e sipërfaqes që kompensohet dhe përgatitet një relacion shpjegues. Më pas i gjithë ky material shqyrtohet nga Zyra e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në përfundim, AKKP-ja kryen veprimet me thesarin dhe bankën për kalimin e fondit të kompensimit në të holla në emër të subjektit të shpronësuar, përfitues i kompensimit.
Të dhëna
500 milionë lekë fondi për kompensim financiar për vitin 2008
3 nëntor deri në 3 dhjetor ishte afati për të paraqitur kërkesën për kompensim
750 ish-pronarë kanë paraqitur kërkesën
Pronarët do të përfitojnë kompensim financiar vetëm për 200 m2
AKKP-ja bën verifikimin e dokumentacionit
19 Janar 2009