Bogdani rifillon me Chievon

Pas shumë spekulimesh, Erjon Bogdani ka vendosur për të ardhmen e tij, të paktën deri në qershor. Sulmuesi shqiptar i qëndroi besnik Chievos, ku planifikon të qëndrojë deri në përfundim të kontratës, në verën që po vjen.
Më pas, ai do të mendojë për të ardhmen më të largët. Të qëndrojë tek Chievo? Mund të jetë edhe kjo njëra nga mundësitë. Për momentin, Bogdani dëshiron të rikthehet protagonist në qendër të sulmit të klubit veronez. Trajneri Di Carlo, kundër Interit ia dha një rast të rëndësishëm, duke e vendosur si titullar përkrah sulmuesit kryesor, Pellissier.
Verdhekaltrit nuk e lejuan atë të shkonte tek Catania, pasi që e konsideruan si të rëndësishëm. “Shpresoj që ta gjej formën më të mirë fizike sa më shpejt. Nuk është e lehtë të luash mirë kur ndihesh i pafuqishëm për ta dhënë më të mirën nga vetja. Por, viti i ri do të më bëj mirë. Po përgatitem për të dhënë gjithçka nga vetja”, ka thënë shqiptari, në një intervistë për të përditshmen L'Arena.
Bogdani nuk ndihet i befasuar që luajti si titullar në ndeshjen e parë të vitit kundër Interit. Ai e pranon se ndihet i zhgënjyer me humbjen, dhe për një penallti të mosakorduar nga gjyqtari, në favor të Chievos.
Pas Romës, Chievo do të përballet me Juventusin dhe me Lazion. “Objektiv i yni është që të lëvizim në tabelë dhe t’i vëmë në vështirësi edhe skuadrat e mëdha. E dimë mirë se mund t’ia dalim mbanë”, vazhdoi përfaqësuesi shqiptar.
Sa i përket të ardhmes, ai thotë se qershori është larg dhe se sot për sot është i koncentruar vetëm tek sezoni me Chievon, me të cilën konfirmon se do të jetë së bashku deri në fund të sezonit.
Dukej se Catania ishte e gatshme t’i ofronte “Bogut” kontratë dyvjeçare. “Unë kam biseduar me drejtorin sportiv të Chievos, Sartori dhe tash ky argument është i mbyllur. Situata është mjaft e qartë: jam tek Chievo dhe mbetem në Chievo. Dëshiroj të rikthehem të shënoj gola të rëndësishëm për këtë skuadër”, shtoi 32-vjeçari.
Bogdani nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit në qershor, por tha se do të ulet dhe të bisedojë me zyrtarët e Chievos, për një vazhdim eventual të kontratës.
Në fund, sulmuesi shqiptar theksoi se ai me bashkëlojtarët, do të mundohen që të grumbullojnë sa më shumë pikë në pranverë, për ta arritur objektivin – mbijetesën.