Bogdani rigjen Sienën, por si kundërshtar
Të dielën, në ora 15:00, Kievo pret në “Bentegodi” Sienën dhe për sulmuesin shqiptar të veronezëve, Erjon Bogdanin, kjo është një sfidë ndaj të shkuarës. Shtatlarti i sulmit të Kievos dhe Kombëtares Shqiptare ka luajtur për dy sezone me klubin toskan, një periudhë nga e cila ai ka kujtime kryesisht të mira. Por për të, kjo ndeshje ndaj ish-skuadrës së tij është thjesht takimi i radhës. Pas 12 javësh kampionat, Kievo mbyll renditjen e Serisë A, me vetëm 6 pikë të marra, ndërsa Siena mban vendin e 13-të të renditjes, me 13 pikë.
Megjithatë, edhe Erjon Bogdani, një “ish” në ndeshjen ndaj skuadrës së Xhampaolos, ka diçka për të thënë: “Jam mirë dhe po stërvitem rregullisht. Dhe kjo më bën të kënaqur, duke shpresuar të jem pjesë e ndeshjes së të dielës. Sigurisht që do të jetë trajneri ai që do të vendosë, por unë shpresoj të zbres në fushën e blertë dhe të kontribuoj për skuadrën. Do të jetë një sfidë mjaft e vështirë dhe mjaft e rëndësishme për ne.”
Kjo do të jetë një ndeshje e veçantë për sulmuesin shqiptar, duke pasur parasysh që ka luajtur për dy sezone me klubin toskan. “Po, është kënaqësi të ritakohem me ish-skuadrën time, - thotë ai. - Por, sinqerisht, për momentin jam i përkushtuar tërësisht te ndeshja. Tani jam lojtar i Kievos dhe në këto çaste Kievo ka nevojë për pikë, domethënë për gola.” Megjithatë, Erjoni e vlerëson kundërshtarin e së dielës.
“Është një formacion i skicuar, i vendosur mirë në fushën e lojës dhe që paraqit një sfidë të vështirë në ditën e saj të mirë, - thekson shqiptari i Kievos. - Por edhe ne kemi në gjirin tonë cilësinë që nevojitet për të luajtur mirë, por na duhet bindja dhe besimi në vetvete. Si mund të përballemi me ta? Me agresivitet dhe mentalitet prej fituesi. Por ka e kaluar masën, duke ruajtur ekuilibrin e nevojshëm. Objektivi ynë i vetëm janë 3 pikët dhe nuk na lejohet të gabojmë.”
I pyetur nëse e shikon veten si mbështetje ideale për Serxhio Pelizierin, i cili përkrah shqiptarit ka gjetur golin në ndeshjen e javës së shkuar ndaj Lacios, Bogdani është përgjigjur: “Mendoj se po, sepse ndaj Lacios jemi paraqitur mirë si dyshe sulmi. Madje do të thosha të njëjtën gjë edhe për ndeshjen në Palermo, ku duhet theksuar se ishim të pafat. Megjithatë, nuk mund të bëhet fjalë për mbështetje ideale, pasi këtu të gjithë jemi të rëndësishëm për lojën e skuadrës, jemi të gjithë njëlloj të rëndësishëm, veçanërisht në këtë moment të vështirë dhe të keq, nga i cili duam të dalim sa më shpejt të jetë e mundur”, - ka përfunduar sulmuesi shqiptar i Kievos.