SHBA, baste për vrasjen e Barack Obama
Vazhdojnë në SHBA episodet e kërcënimeve me vdekje (të vërteta apo të sajuara) ndaj Barack Obama-s. Kërcënimi më i fundit ka ardhur nga Maine. Në një dyqan në Standish, qytezë me 9.285 banorë është ekspozuar një tabelë ku do të publikohen baste prej 1 dollar “mbi datën e vrasjes së Obamas”. Titulli i lojës-bast, “Osama Obama Shotgun Pool” shoqërohet nga shënimi: “Shpresojmë që dikush të fitojë”. Këshilli bashkiak, edhe pse e ka cilësuar si një iniciativë me shije të keqe, ka mbrojtur të drejtën e tregtarit duke e përkufizuar si “liri e mendimit”.
Ndërkohë që Obama është “kërcënuar” edhe më parë në një qytezë të Idaho-s, Rexburg, ku disa fëmijë në një autobus shkolle kanë kënduar në kor një këngë të titulluar “Vrisni Obamën”.