Hyseni: Kosova, e pavarur dhe sovrane
“Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integral. Ky proces është i pakthyeshëm”. Kështu ka deklaruar në Bruksel, ministri i Jashtëm kosovar Skënder Hyseni, gjatë një seance të veçantë të Grupit Drejtues Ndërkombëtar. Burime zyrtare nga Ministria e Jashtme e Kosovës, theksuan se rikonfigurimi i UNMIK-ut nuk po ecën me shpejtësinë që ka dëshiruar pala kosovare.
“EULEX-i duhet të jetë i pranishëm në tërë Kosovën sa më parë që të jetë e mundur, për të ndihmuar dhe mbikëqyrur realizimin në terren të planit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari”, ka thënë shefi i diplomacisë kosovare. Përsa i përket planit prej gjashtë pikave të negociuara ndërmjet OKB-së dhe Serbisë, Hyseni është shprehur se Prishtina zyrtare e konsideron si problematike dhe joracionale, prandaj edhe këto pika janë refuzuar nga pala kosovare. “Ruajtja e karakterit unitar dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme”, ka shtuar Hyseni, duke ftuar shtetet që përbëjnë Grupin Ndërkombëtar Drejtues që të respektojnë sovranitetin e Kosovës.