E Shtunë, 31 Tetor 2026

Solana, të premten në Nju Jork për EULEX

 

Havier Solana pritet të takojë të premten në Nju Jork, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, për të diskutuar mbi vendosjen e EULEX-it. Takimi mes shefit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, mund të sqarojë nëse EULEX-i do të mund të fillojë punën në muajin dhjetor, siç kanë paralajmëruar zyrtarët evropianë. Në një prononcim për mediat, zëdhënësi i misionit të BE-së në Prishtinë, Viktor Rojter, tha se EULEX po vazhdon dislokimin në Kosovë dhe se do të jetë gati të fillojë punën në fillim të dhjetorit.
“Dislokimi po ecën në rrugën e duhur dhe EULEX do të jetë gati të nisë punën në fillim të muajit të ardhshëm. Ne jemi gati të zbatojmë mandatin tonë. Që tani e deri në fillim të dhjetorit do të kemi rreth 1300 pjesëtarë të personelit ndërkombëtar dhe disa qindra të personelit vendor. Kështu që gradualisht anëtarët e misionit do të shkojnë në 2000”, ka saktësuar ai.
Ndërkohë Grupi Ndërkombëtar Drejtues në mbledhjen e gjashtë që është mbajtur dje në Bruksel, ka thënë se qeveria e Kosovës po bën përpjekje të mëdha për të implementuar decentralizimin, dhe i jep përparësi përmirësimit të arsimimit të pakicave. “Kosova ka arritur shumë progres në konsolidimin e shtetësisë së saj, duke ripohuar përkushtimin e saj ndaj respektimit të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, tha Grupi Ndërkombëtar Drejtues. GND tha se e mirëpret vendosjen e planifikuar të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës. Autoritetet kosovare vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se misioni i BE-së duhet të respektojë Kushtetutën e Kosovës dhe planin Ahtisari, mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia. Ky grup, që bën mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes për statusin, përbëhet nga vende të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa kryesohet nga përfaqësuesi i lartë i BE-së në Prishtinë, Pieter Feith.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›