Topi: Kosova të thirret në takimet rajonale
ADI SHKEMBI
Kosova duhet të bëhet pjesë e takimeve dhe nismave rajonale. Presidenti Bamir Topi tha dje në fjalën e tij gjatë forumit ekonomik rajonal të Evropës Juglindore, që po zhvillohet në Ohër se, “ne mendojmë se realiteti i ri gjeopolitik i krijuar së fundmi në Ballkanin Perëndimor, si pjesë e proceseve integruese, shteti i ri i Kosovës ka nevojë të inkurajohet, duke u bërë pjesë e nismave dhe takimeve rajonale ku diskutohet për bashkëpunim rajonal, politik, ekonomik apo tregtar”. Sipas tij, autoritetet e Kosovës po përpiqen me të gjithë seriozitetin e duhur dhe angazhimin civil të zbatojnë paketën ligjore Ahtisari dhe Kushtetutën e tyre të re, ndërtuar me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, sipas standardeve më të larta të respektit të individit, pavarësisht prejardhjes së tij etnike apo fetare. Duke iu referuar misionit të Eulex në Kosovë, Topi tha se shtrirja dhe zbatimi i tij nuk duhet të zvarritet, por në të njëjtën kohë duhet të vlerësojë realitetin e pakthyeshëm të pavarësisë dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës. “Ai duhet të ketë karakter të barabartë, integral dhe gjithëpërfshirës në zbatimin e tij vertikal apo horizontal dhe t’i shërbejë unifikimit të shoqërisë kosovare në interes të integrimit të saj sa më të shpejtë në shoqërinë tonë të përbashkët, që udhëton drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, vijoi më tej Topi. Kreu i shtetit iu referua edhe marrëdhënieve rajonale, duke theksuar se në bashkimin mes vendeve të rajonit të Evropës Juglindore ka ende pengesa që frenojnë zhvillimin e tregtisë së lirë. “Përpjekjet e secilit nga vendet tona për të tërhequr investimin e huaj direkt, u përfshinë në një “luftë vrasëse” të ofertave, të cilat u influencuan, gjithashtu, nga diferencat e krijuara nga çmimi dhe pozicioni monopol i infrastrukturës fizike të energjisë elektrike, ndërtimi i së cilës për disa vende kërkon shumë para dhe kohë”, theksoi Topi.