E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana-Vllaznia, supersfida që përcakton kreun e renditjes

 

Një nga ikonat e futbollit bardheblu në dy dekadat e fundit, aktualisht pjesëtar i stafit teknik të Tiranës, Indrit Fortuzi, e cilëson përballjen e së dielës si një nga mundësitë më të mëdha që 23-herë kampionët të gjejnë shkëputjen e duhur ndaj një rivali të drejtpërdrejtë për titullin. “Rezultati i këtij takimi nuk ka ndikim për titullin, por ai është domethënës për ecurinë tonë. Sigurisht që kapacitetet tona fizike, teknike e taktike janë të mëdha dhe besojmë shumë të marrim tri pikët. Nuk do jetë e lehtë, sigurisht, por unë e shoh si një mundësi për të bërë një shkëputje mbresëlënëse për vazhdimësinë e kampionatit. Çdo lloj rezultati tjetër, përveç fitores, është i papranueshëm. Kjo ndeshje i ka brenda të tri rezultatet, por ne edhe barazimin e quajmë dështim. Sidoqoftë, besoj shumë në vlerat e skuadrës dhe jam optimist për marrjen e një fitoreje me shumë vlera, aq më tepër që takimi luhet përballë tifozëve tanë të mrekullueshëm”, - tha “Zogu”. Ndërkohë, ai ka besim të madh se sulmuesi Daniel Xhafaj mund të vulosë në këtë sfidë fitoren e Tiranës. “Shpresojmë të zhbllokohet. Sot (dje) dha prova se është në formë. Presim shumë prej tij”, - shtoi Fortuzi. Para takimit me Tiranën, një takim me shumë vlera për Vllazninë dhe shkodranët, teknikut të këtij ekipi, Agim Canaj nuk i mbeten shumë alternative përsa i përket formacionit. Mungesa e dy nga tre lojtarët titullar të dëmtuar, sulmuesit Vioresin Sinani, mesfushorit Albert Kaçi dhe një pikëpyetje nëse do të jetë që nga minuta e parë e mbrojtësit Suad Lici, nuk i ka dhënë shumë mundësi teknikut të ekipit shkodran për të vendosur mbi lojtarët të cilët do të hedhë në fushën e lojës për këtë takim. Nga sa ka paraqitur në seancat stërvitore të këtyre ditëve të fundit tekniku vlonjat i kuqebluve i ka kushtuar më shumë vëmendje rreshtimit të ekipin e tij në mesfushë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›