Obama, të enjten emëron Hillary Clinton
Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Barck Obama, duket se ka përvijuar stafin e tij. Mësohet se pas Festës së Falënderimeve, që janë të enjten e ardhshme, do të bëhet publike emërimi i Hillary Clinton në postin e Sekretares së Shtetit në administratën e re të Uashingtonit. Veç emrit të ish-Zonjës së Parë amerikane, në media ishin përfolur dhe disa emra të tjerë për kandidatë të mundshëm për postin, si ai i guvernatorit të Nju Meksikos, Bill Richardson dhe ish-kandidatit demokrat për Shtëpinë e Bardhë, John Kerry. Ndërkohë ish-presidenti Clinton ka deklaruar para dy ditësh se është i gatshëm në çështjen e deklarimeve financiare. Ai ka pranuar t’i nënshtrohet një kontrolli të tërësishëm etik në lidhje me donacionet e fondacionit që ai drejton. Ndërkaq, shefi i ardhshëm i kabinetit të Obamës, Rahm Emanuel, është takuar me udhëheqësit republikanë në Kongres për të diskutuar mbi mënyrat më të mira për bashkëpunim pas 20 janarit, kur Obama do të betohet si presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara. Veç emrit të Clinton, ditët e fundit në media është përfolur Erik Holder, për postin e mundshëm të Prokurorit të Përgjithshëm. Mësohet se Holder ka shërbyer si zëvendësprokuror i Përgjithshëm në administratën e ish-presidentit Bill Clinton. Nëse emërohet dhe konfirmohet nga senati, Holder do të jetë afrikano-amerikani i parë në krye të Departamentit të Drejtësisë. Holder ka qenë përkrahës i hershëm i fushatës së presidentit Obama, dhe ka luajtur një rol kyç në përzgjedhjen e senatorit Xho Bajden si kandidat për nënpresident.