E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani rrëfen mungesën e tij të gjatë në Serinë A

 

JETMIR HALILAJ

Erjon Bogdani i mungon prej disa javësh skuadrës së Kievos, për shkak të një dëmtimi dhe mungesa e tij ka ndikuar së tepërmi te skuadra e Kievos. Këtë e ka pohuar edhe vetë trajneri i ekipit, Domeniko di Karlo, i cili ka thënë shpeshherë se sulmuesi shqiptar është shumë i rëndësishëm për skemat e tij. Pak ditë më parë tifozët e skuadrës veroneze kanë kritikuar ashpër stafin mjekësor, për rikuperimin e vonuar të Bogdanit. Erjon Bogdani, në një intervistë për "Panorama", ka sqaruar gjithçka, që nga çështja e dëmtimit, raportet e tij me trajnerin si dhe zërat e merkatos.
Ky sezon nuk ka nisur siç dëshironit. Fillimisht ish-tekniku i Kievos, Iakini, s'u jepte shumë hapësira, më pas u tha se pësuat një dëmtim të lehtë, por mungoni prej një muaj e gjysmë në fushat e lojës. Çfarë po ndodh?
Po, është e vërtetë. Ish-trajneri Iakini fillimisht nuk më kishte edhe aq në konsideratë. Ai mendonte se grupi i lojtarëve që ngjitën Kievon në Serinë A, mund të ishte në gjendje që të përballonte vështirësitë e këtij kompeticioni, por nuk ndodhi kështu. Më pas, tekniku u bind se unë mund t'i shërbeja skuadrës dhe se mund ta bëja më mirë rolin e qendërsulmuesit se sa Pelisieri, i cili nuk është qendërsulmues i mirëfilltë. Në këtë periudhë, kur fillova të aktivizohesha, pësova një dëmtim, që në fillim u duk sikur nuk do të më mbante gjatë jashtë fushave, por në fakt donte një periudhë të caktuar për t'u rikuperuar. Pas ndërrimit të trajnerit, kur erdhi tekniku di Karlo, ky i fundit më mbështeti dhe ma bëri të qartë që në fillim se loja e sulmit do të bazohej tek unë. Duke parë vështirësitë e skuadrës dhe përmirësimin fizik, vendosa të luaja kundër Sienës, por e kuptova se problemi që kisha te aduktorët dhe në rrëzë të kofshës, nuk ishin rikuperuar, ndaj stafi mjekësor më rekomandoi që të mos luaja për disa javë, me qëllim që të rikuperohem plotësisht. Për mua gjendja fizike është primare, ndaj nuk kam dashur të rrezikoj.
Tifozët kanë kritikuar stafin mjekësor të Kievos në lidhje me punën që kanë bërë për t'ju rikuperuar....
Po, e vërtetë është. Ata janë mërzitur, sepse fillimisht u tha se ishte një dëmtim i lehtë. Për të qenë të sinqertë, nuk bëhet fjalë për ndonjë dëmtim serioz, por është i bezdisshëm dhe do kohën e vet që të rikuperohet.
Trajneri Di Karlo ka thënë shpesh në media se ju jeni shumë i rëndësishëm për skemat e tij, si janë raportet tuaja me të?
Shumë të mirë dhe shumë të drejtpërdrejta. Ma tha që në fillim se bëja plan në skemat e tij, por fatkeqësisht nuk kam mundur të luaj. Megjithatë, kam dy ditë që stërvitem me skuadrën dhe jam i bindur se shumë shpejt do të rikthehem në formë optimale. Ju e dini se kur jam mirë fizikisht, mund të jap shumë dhe mund të shënoj shumë gola.
Emri juaj ka filluar të qarkullojë që tani në merkato. Madje, në shtypin sportiv në Itali ka zëra se mund të largoheni në janar nga skuadra e Kievos. Është e vërtetë kjo?
Nuk e di. Unë kam edhe një vit e gjysmë kontratë me Kievon dhe ndihem shumë mirë këtu. Do të doja që të luaja në këtë skuadër dhe të mund të shënoja sa më shumë gola, sepse mendoj se problemet fizike thuajse kanë kaluar. Megjithatë, nuk e di se çfarë do të ndodhë. Ajo që mund të them me siguri është se, nëse do të largohem, këtë do ta bëj për të shkuar në një ekip më të mirë. Në këtë rast përjashtohet mundësia e huazimit. Kjo çështje është një kapitull i mbyllur për mua.
Flitet se mund të transferoheni jashtë Italisë?
Kam pasur disa oferta, por nuk u kam kushtuar shumë rëndësi, deri tani zgjedhja e parë mbetet Kievo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›