Policia Kufitare kërkon regjistër për të huajt
TIRANE - Rritja e fluksit të udhëtarëve në aeroportin e Rinasit dhe kërkesat e shumta për leje qëndrimi të të huajve, nuk mund të përballohen nga Policia Kufitare me organikën e saj aktuale. Mungesa e stafit dhe e organikës në sportelet e pikave të kalimit kufitar, ka bërë që krerët e Kufirit të Tiranës të kërkojnë shtimin e organikës me të paktën 20 efektivë të rinj, që mund të emërohen në role të ndryshme. Një shqetësim i tillë është ngritur dje, gjatë analizës vjetore të Policisë Kufitare dhe Migracionit të Tiranës, nga kreu i kësaj strukture Drejtues i Parë, Sajmir Boshnjaku. Sipas tij, gjatë këtij viti është shënuar rekordi i pasagjerëve që kanë lëvizur nëpërmjet aeroportit të Rinasit me rreth 1.2 milionë që prej janarit deri në 10-ditëshin e parë të muajit dhjetor. Kreu i Policisë Kufitare tha se problem mbetet mungesa e një regjistri kombëtar të të huajve që ndodhen në vend me leje qëndrimi apo me viza. Sipas tij, aktualisht Policia Kufitare ka një evidencë të saktë të të huajve që ndodhen në Shqipëri, por është e nevojshme që të ketë një regjistër elektronik kombëtar të tyre, me qëllim që çdokush prej tyre të gjendet dhe të verifikohet në çdo kohë të dhënë. Një tjetër shqetësim për kreun e Kufitarëve, Boshnjaku, është ndërtimi i një sistemi online të vizave me ambasadat, për të shmangur kalimet e pali-gjshme të kufirit me dokumente të falsifikuara. Sipas analizës, kjo do t'i jepte goditje të konsiderueshme trafikut të klandestinëve si në drejtim hyrës me Shqipërinë, ashtu edhe në dalje. Gjatë prezantimit të shifrave të punës 1-vjeçare të institucionit që drejton, Boshnjaku tha se janë regjistruar në kufi më tepër se 1 milion e 158 mijë udhëtarë. Në shifrat e prezantuara policia e Rinasit rezulton se ka evidentuar 131 vepra penale me 234 autorë, 5 grupe kriminale, ndërsa janë në proces hetimi disa të tjerë. Për gjatë vitit të kaluar kanë aplikuar për të fituar lejen e qëndrimit 3400 persona, ndër të cilëve iu është refuzuar fitimi i leje-qëndrimit 12 të tillëve. Ndërkaq policia ka prapësuar në kufi 21 persona dhe duke vendosur rreth 700 gjoba ndaj shkelësve të rregullave të kufirit. Në Rinas policia ka pritur si të depërtuar 3100 persona, janë arrestuar si të shpallur në kërkim 25 persona. Blutë e komisariatit pranë aeroportit "Nënë Tereza" kanë identifikuar 22 raste të viktimave të trafikut, të cilat janë depërtuar nga autoritetet e vendeve të ndryshme. Boshnjaku pohoi se problem mbetej vonimi i ngritjes së qendrës migratore dhe azilkërkuesve në fshatin Kareç, e cila duhej të ishte përfunduar në muajin maj të këtij viti nga subjekti i kontraktuar nga zyra e Komisionit Europian në Tiranë. d.b.