E Hënë, 2 Nëntor 2026

Familjarët identifikojnë në morg 27-vjeçaren, u hodh nga pallati

 

TIRANE - Identifikohet vajza e hedhur nga kati i pestë i një pallati në afërsi të Librit Universitar në kryeqytet. Policia e Komisariatit nr.2 ka pohuar se e vetëvrara quhet Anila Xhepa, 27-vjeçare banuese në Kombinat. Sipas burimeve të policisë, vajza kishte tentuar edhe herë të tjera të vetëvritej duke u hedhur nga lartësia, për shkak të problemeve që kishte kaluar. Sipas verifikimeve të kryera nga policia, 27-vjeçarja rezulton të ketë qenë e sëmurë prej kohësh, pasi vuante nga një gjendje e rënduar psikologjike. Këto të dhëna janë mësuar nga të afërmit e viktimës, të cilët janë interesuar pranë Komisariatit të policisë nr. 2 dhe pranë morgut të Tiranës, për trupin e vajzës së vetëvrarë, pasi ajo mungonte në shtëpi prej momentit kur ka ndodhur ngjarja. Vajza është identifikuar nga të afërmit e saj, të cilët kanë parë trupin e saj në morg dhe më pas konfirmuan emrin e saj. Fillimisht sipas burimeve të policisë, të afërmit e viktimës kanë njohur rrobat e vajzës që ishin ruajtur nga personeli. Burime të policisë kanë pohuar se për të verifikuar vajzën janë interesuar disa persona të ndryshëm, të cilët pasi kanë parë trupin e saj janë larguar duke thënë se nuk ishte njeriu i tyre. Ndërkaq dje në mëngjes disa të afërm të Anila Xhepës kanë mbërritur në Komisariatin nr. 2 dhe në morgun e Tiranës për t'u interesuar nëse viktima e ngjarjes ishte njeriu i tyre. "Sapo kanë parë rrobat, ata kanë nisur të shqetësohen duke thënë se kufoma mund të ishte e Anilës", pohoi një burim nga morgu për gazetën "Panorama". Sipas të njëjtit burim, pas verifikimeve dhe kryerjes së procedurave përkatëse, trupi është tërhequr gjatë ditës së djeshme nga familjarët. Për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, policia ka marrë dëshminë e nënës së vajzës, e cila është pyetur pasditen e djeshme nga oficerët e krimeve të Komisariatit nr. 2. Nëna e viktimës u ka sqaruar hetuesve faktin se e bija vuante nga një gjendje jo e mirë nervore dhe depresive. Dëshmitarja ka pohuar se edhe një herë më parë vajza e saj kishte tentuar të vetëvritej, duke u hedhur nga lartësia. Një fakt të tillë policisë ia kanë konfirmuar edhe persona të tjerë, të cilëve ajo iu ka marrë dëshmi mbi dijeninë e tyre mbi historinë e vajzës. Ata kanë pohuar se vajza është larguar në mëngjes dhe më pas nuk është kthyer në shtëpi. Sipas tyre kur kanë dëgjuar se një vajzë ishte vetëvrarë kanë nisur të kërkojnë në polici, ndërsa e kanë gjetur në morgun e Tiranës.                                     d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›