Fishta e Noli, të gjallë në regjistrime zanore
Alma Mile
Të dëgjosh zërin e At Gjergj Fishtës, teksa reciton vargjet e "Lahutës së Malcisë" e teksa në sfond dëgjohen përvajshëm tingujt e instrumentit të lashtë, apo të qeshurën e Nolit, është pa dyshim një emocion më vete. Një kënaqësi, të cilën ta bën si "dhuratë" gjuhëtari dhe përkthyesi Robert Elsie. Këto ditë, në faqen e tij në internet www. Albanian Language. net, albanologu ka hedhur tre incizime të rralla në gjuhën shqipe (falënderojmë përkthyesin Hans Joachim Lanksch, që na bëri me dije për këtë ngjarje). I pari, konsiderohet si incizimi më i hershëm i shqipes së Ballkanit, realizuar më 4 prill të vitit 1914 nga albanologu Norbert Jokli. Sipas informacionit që vetë Elsie jep në faqen e tij, mësojmë se në pranverën e vitit 1914, Norbert Jokli dëgjoi për një grup shqiptarësh pastiçierë që punonin në Hungari. Pa humbur kohë, u nis për t'i takuar dhe për të bërë shënime gjuhësore për dialektin e tyre. Me mbështetjen e Komisionit për Ballkanin të Akademisë Austriake të Shkencave, Jokli ftoi njërin prej punëtorëve, i cili quhej Mustafa Abdyli (lindur me 1876) nga Vrapçishta e Gostivarit (Maqedoni), në Vjenë për një muaj për një incizim zanor të gjuhës së tij në Arkivin Fonogramik. Sipas Elsiesë, bëhet fjalë për një incizim prej pesë minutash, i cili publikohet për herë të parë dhe mendohet të jetë dokumenti më i hershëm zanor i gjuhës shqipe në Ballkan. Incizimi i mirëfilltë mbi një pllakë të vjetër dylli ruhet në Arkivin Fonogramik të Akademisë së Shkencave (Zentrum Sprachëissenschaft, Bild- und Tondokumentation, Phonogrammarchiv, Österreichische Akademie der Ëissenschaften) në Vjenë, i cili lejoi që ky regjistrim t'i paraqitet publikut. Regjistrimi i Joklit është thjesht një dokumentim gjuhësor dhe nuk ka ndonjë vlerë të madhe përmbajtësore. Në të, shqiptari i regjistruar, me një dialekt verior tregon një anekdotë, atë të "Pelës dhe ujkut" e më tej rendit një sërë fjalësh të përdorimit bazë dhe numërorë. Regjistrimi tjetër daton vitin 1937. Është një rast i rrallë, i cili të jep mundësinë të dëgjosh zërin e At Gjergj Fishtës, por jo në një bisedë të zakonshme, apo ndonjë fjalim, por në recitimin e dy këngëve të poemës së tij epike "Lahuta e Malcisë". Së pari është Kanga 5, vargjet 391-465, ndërsa tjetra Kanga 13, vargjet 1-77. Tek e para ngre krye trimi Oso Kuka, ndërsa e dyta është një lloj revolte karshi Evropës, që ka vendosur të copëtojë trojet shqiptare ( Uh! Evropë, ti kurva e motit,/ Qi i rae mohit besës e Zotit,/ Po a ky â shêji i gjytetnís: / Me dá token e Shqypnís / Per me mbajtë klysht e Rusís?).
Të bën përshtypje zëri i plotë dhe intonuar i At Gjergj Fishtës, i cili të jep përshtypjen e një aktori profesionist. Gërvimat e shiritit, që tregojnë moshën e regjistrimit dhe një lahutë që luhet në sfond, i japin atmosferën nuanca mitike. Elsie nuk na jep më shumë informacion mbi prejardhjen e këtyre regjistrimeve.
Po kaq interesant paraqitet një tjetër regjistrim, më i vonë në kohë, i cili na sjell zërin e Fan S. Nolit. I përket vitit 1962 dhe është një fjalim që Noli e ka mbajtur në shoqatën shqiptaro-amerikane "Vatra". Nga Elsie mësojmë se incizimi, i ruajtur nga Peter Prifti (San Diego), u dha në dispozicion të publikut nga Kryepeshkopia Ortodokse në Amerikë (Boston) dhe u digjitalizua në CD nga Avni Spahiu dhe Baki Jashari (Prishtinë), të cilët mundësuan edhe publikimin e regjistrimit. Mësohet se në vitin 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata "Vatra", me të cilën bleu një shtëpi në Fort Lodërdejll (Fort Lauderdale), Florida, ku vdiq më 13 mars 1965 në moshën tetëdhjetë e tre vjeçare. Dhe fjalimi prej 19 minutash është mbajtur vetëm tre vjet para vdekjes së tij. Ishte 80 vjeç kur mbajti këtë fjalim në një përvjetor të Federatës "Vatra", ku flet për rolin historik që ka pasur ky organizëm në çështjen shqiptare. Një gjuhë e pastër në dialektin toskë, për t'u pasur zili. Të tri këto materiale, janë një dëshmi e rrallë gjuhësore, që dokumenton ecurinë e gjuhës shqipe, zhvillimin e të dy dialekteve.
Kush i solli zërat e Fishtës dhe Nolit
Robert Elsie studioi në Universitetin Britanik të Kolumisë, ku u diplomua në 1972 për Gjuhësi dhe Letërsi Klasike. Në vitet e mëpasme, ndoqi studimet dhe kualifikimet e ndryshme pasuniversitare. Robert Elsie është autor i një sërë librash studimorë, mbi aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare dhe asaj të huaj. Disa nga veprat e botuara nga Robert Elsie janë "Shqipëria dhe Kosova në ngjyra 1913", "Antologjia e Poezisë Shqipe", "Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje", "Kosovë, Mali i Zi, Ohër", "Azem Shkreli", vëllimi poetik "Penda e përgjakur", si dhe përkthime të autorëve shqiptarë si Fatos Kongoli, romani i "Humburi", "Letërsia shqipe: një histori e shkurtër", "Tregime moderne shqiptare", "Lahuta e Malcisë", Visar Zhiti, vëllimi poetik : "Mollë e dënuar", etj,. Vetëm pak ditë më parë ai ishte në Tiranë për të prezantuar "Antologjinë e poezisë shqipe".