E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ndahet" banda e Durrësit,sherr në gjyq për avokatët

 

Armand Bajrami

    Seanca gjyqësore e radhës në ngarkim të "Bandës së Durrësit" në Gjykatën për Krimet e Rënda është shoqëruar edhe dje me debate të ashpra mes palëve. Pjesë e debatit është bërë edhe i penduari dhe dëshmitari i drejtësisë Adriatik Coli, i cili ka shprehur verbalisht dëshirën e tij për vazhdimin e gjykimit. "Të vazhdojë gjykimi", u shpreh ai spontanisht, ndërsa qëndronte i rrethuar nga forcat speciale që e mbrojnë në sallën e gjyqit gjatë kohës që avokatët po replikonin ashpër me palën e akuzës. Një pjesë e avokatëve kërkuan veçimin e çështjes për klientët e tyre nga të pandehurit e tjerë, kërkesë që u hodh poshtë nga gjykata. Nga ana e saj, Prokuroria përsëriti dje ftesën ndaj gjykatës për të bërë gjykimin çdo ditë për këtë proces. 
Debati në gjyq
Seanca e djeshme, e 51-ta në radhë, dështoi sërish për shkak të mungesës së dy avokatëve. Ka qenë pikërisht përligjja e mungesës së mbrojtësit ligjor të të pandehurit Sardian Sulejmani, ajo që ka iniciuar fillimin e debatit. Nga avokati u paraqit në gjykatë një deklaratë me të cilën justifikohej mungesa e tij për arsye shëndetësore, bashkangjitur një raport mjeko-ligjor. Pasi mori fjalën prokurori i çështjes pohoi para gjykatës se, "si në gjashtë herë radhazi, nuk i shpëtuam edhe sot një raporti mjekësor". Në vijim pala e akuzës kërkoi zëvendësimin e mbrojtësit ligjor të të pandehurit Sulejmani. Gjithashtu nga akuza u kërkua të mbahej qëndrim prej gjykatës për shkaqet që çonin në zvarritjen e procesit gjyqësor, si dhe pezullim i afateve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit. I menjëhershëm ishte reagimi i mbrojtësve.
Ndarja e bandës
Avokati Ferdiand Ndoja e cilësoi si tendencioz qëndrimin e Prokurorisë në lidhje me mbrojtësit. "Veçoni të pandehurin tim Elvin Hoxhosmani. Unë nuk jam i rregullt me ardhjen time në gjykatë. Nuk ka pse t'i pezullohen atij afatet e paraburgimit", i është drejtuar ai gjykatës. E njëjta kërkesë u bë në vazhdim edhe nga mbrojtësit ligjorë të të pandehurve Endrit Dokle, Kujtim Buna dhe Selman Heti. Gjykata hodhi poshtë këtë kërkesë, duke e argumentuar me faktin se personat akuzohen për të njëjtat vepra penale të kryera në kuadrin e organizatës kriminale dhe si të tillë, duhet të gjykohen së bashku. Gjithashtu gjykata pezulloi përsëri afatet e paraburgimit për gjithë të pandehurit. Duke filluar nga seanca e ardhshme, e cila u caktua më 29 dhjetor, ky proces do të zhvillohet dy herë në javë. Të akuzuarit si anëtarë të "Bandës së Durrësit" akuzohen nga Prokuroria për një numër të madh veprash të rënda penale. Sipas kërkesës për gjykim të Prokurorisë për Krimet e Rënda, në fillimet e saj organizata kriminale pretendohet se drejtohej nga i pandehuri Lulzim Berisha. Me kalimin e kohës banda u përfshi në konflikte të shkaktuara prej krijimit të dy grupeve brenda saj. Konflikte këto që janë pasuar me episode kriminale përfshi vrasje, plagosje dhe atentate. 

Shtyrjet për dëshminë e të penduarit
Shtyrjet e vazhdueshme të procesit gyqësor në ngarkim të "Bandës së Durrësit", kanë penguar paraqitjen në gjykatë të dëshmisë së dhënë nga i penduari Adriatik Coli. Pas leximit të kërkesës për gjykimin e çështjes, dëshmia e të panduarit ka qenë një nga provat e para në listën e akuzës. Megjithatë shtyrja e shumicës së seancave për shkak të mungesës së avokatëve apo të pandehurve, është bërë pengesë. I penduari paraqitet me forca të shumta policie dhe mjete të blinduara thuajse në çdo seancë të provesit që po njeh vetëm shtyrje të njëpasnjëshme që prej vitit të kaluar kur dosja penale u dërgua për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të rënda në Tiranë pas përfundimit të hetimeve ndaj "Bandës së Durrësit".  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›