"Prostitucioni", lirohen të akuzuarit pas 4 vitesh burg
TIRANE - Katër persona të akuzuar për "shfrytëzim prostitucioni" janë liruar dje nga qelitë e paraburgimit, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi shuarjen e masës së sigurisë ndaj tyre. Togat e zeza vendosën shuarjen e masës së sigurisë "arrest me burg" për Alket Rushitin, Ervin Premcin, Gjergji Xherakun dhe Agim Hoxhën dhe lënien e tyre në "arrest shtëpie". Shkak për marrjen e këtij vendimi u bë tejkalimi i afateve të paraburgimit nga të katër të pandehurit. Seanca e djeshme te Krimet e Rënda ishte seanca e parë në radhë në rigjykimin e kësaj çështjeje. Personat e akuzuar janë përballur me Gjykatën e Shkallës së Parë tre vjet më parë, dhe ndaj tyre janë dhënë dënime që shkonin në një total prej 64 vitesh heqje lirie. Bëhet e ditur se pasi kaloi në të gjitha shkallët e gjyqësorit, Gjykata e Lartë gjeti shkelje në gjykimin e çështjes dhe e ktheu atë për rigjykim në Shkallën e Parë. Ngjarja për të cilën akuzohen personat e mësipërm ka ndodhur në vitin 2003, kohë kur ata kanë trafikuar për arsye prostitucioni një vajzë nga Dibra. Duke iu referuar kërkesës për gjykim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda bëhet e ditur se vajza është marrë nga vendlindja e saj dhe është mbajtur në Durrës, ku të akuzuarit kanë dashur ta shesin te njëri-tjetri duke e këmbyer me një makinë "Mercedes Benz". "Pasi kjo ofertë nuk është pranuar, në ditët në vijim Ervini ka shkuar përsëri në shtëpinë e Agimit dhe ka marrë A.M. (të lënduarën) pasi ka dorëzuar shumën 15.000 lekë", thuhet në kërkesën për gjykim. Më pas vajza është shfrytëzuar për disa muaj në Durrës dhe rrethinat e saj. Gjatë kësaj kohe ajo ka mbetur shtatzënë dhe është detyruar të abortonte fëmijën. ar.ba