Enrico Ruggeri këndon shqip në festival
Dueti Lila-Ruggeri është një nga surprizat e festivalit të 47-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, i cili nis sot në Pllatin e Kongreseve. Është pikërisht Enrico Ruggeri, i ftuari "misterizoz" i natës së tretë të festivalit, që do të këndojë në italisht e shqip. Megjithatë këtë vit, mendohet se i gjithë organizimi është një surprizë më vete. I çliruar për një moment nga tensioni i ditës së fundit, regjisori Pali Kuke, thith fort një cigare. Kanë mbetur fare pak orë, përpara natës së parë të festivalit. Koha ka nisur të numërohet mbrapsht. U bënë vite që realizon regjinë e tij dhe sa më shumë kalon koha, aq më shumë ndihet trysnia e gjetjeve të reja, për të mos përsëritur vetveten. "Është e çuditshme, por festivali i dhjetorit, mbetet sërish festivali i madh",- thotë ai. Ndaj dhe përgjegjësia është edhe më e madhe. Këtë vit, krahas formulës së gjetur nga Drejtori Artistik, ndryshe vjen edhe prezantimi. Pasi ka garancinë e një viti më parë, Kuke rikthen Elsa Lilën. "Shfrytëzon" popullaritetin e saj dhe energjinë që transmeton një dyshe aktorësh të rinj humori, Julian Deda dhe Gentian Zenelaj. Thotë se është shumë e vështirë të ruash balancat mes seriozes dhe humorit. "Duhet të kuj-desesh që smokingu t'u rri mirë në trup", - thotë në mënyrë figurative, regjisori. Duket se Kuke grishet vazhdimisht nga rreziku, nga e reja. E ka provuar edhe më parë me grimca humori, me të ftuar të këtij zhanri, por këtë herë e ndërthur atë me prezantimin. Është i këna-qur me formulën e gjetur të 20 këngëve, të cilat do të këndohen përgjatë tri netëve dhe që sipas tij do të mbeten gjatë në mendjen e publikut. E përveç kësaj strukture, që eksperimentohet për herë të parë, festivalit nuk do t'i mungojnë edhe të ftuarit. Natën e tretë të festivalit, do të ngjitet në skenë këngëtari i njohur italian, Enrico Ruggeri. Nuk do të këndojë ndonjë nga këngët e tij hit, por një duet me Elsa Lilën. Do të këndojnë në shqip dhe italisht kolonën zanore të filmit me regji të Gjergj Xhuvanit "Lindje, Perëndim, Lindje". Performanca e dy këngëtarëve do të shoqërohet edhe me sekuenca nga filmi i Xhuvanit, i cili ende nuk është shfaqur për publikun. Sipas Kukes do të jetë një performancë shumë interesante, që forcohet nga mesazhi që përcjell kënga e bashkë me të historia e çiklistëve, që kërkojnë të kthehen në Shqipëri, ndërsa të gjithë duan të largohen prej saj. Kështu që edhe i ftuari është në funskion të së tërës shqiptare. Gjithashtu i ftuar do të jetë edhe një çift kërcimi, që mbajnë tituj e trofe botërorë. Por Kuke nuk do t'i zbulojë të gjitha, duke ia lënë këtë skenës së festivalit. Sot do të jetë prezantimi i parë i këngëve konkurrente. Kë-ngëtarë si Rovena Dilo, "West Side familly", Juliana Pasha, Besa Kokëdhima, Soni Malaj, etj., janë në garë për çmimin e parë, por edhe për pjesëmarrjen në Festivalin Evropian. al.mi.