E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani, rrugë e hapur te Lacio, Siena është një tjetër mundësi

E ardhmja e Erjon Bogdanit
vazhdon të mbetet e paqartë,
edhe pse në drejtim të sulmuesit
shqiptar nuk mungojnë ofertat nga
skuadra të kampionatit italian, por
edhe nga Grenoble në ligën e parë
franceze. Gjithsesi, zhvillimet e fundit
kanë sjellë të reja rreth mundësive
për sulmuesin e Kombëtares
shqiptare të futbollit, i cili prej
fillimit të sezonit është rikthyer te
Kievo. Sikurse është bërë e njohur
dje, tashmë është hapur rruga e kalimit
të tij te skuadra e Lacios. Mediat
italiane e kanë konfirmuar dje
një gjë të tillë. Ai që ka dhënë sinjalet
pozitive të realizimit të kësaj
tratative, të përfolur prej më se një
jave, ka qenë rinovimi i sulmuesit
lacial, Simone Inzagi. Vëllai më i
vogël i Pipos, i cili luan prej disa sezonesh
me skuadrën e dytë të
kryeqytetit italian, më në fund ka
arritur të gjejë gjuhën e përbashkët
me drejtuesit e klubit. Simone Inzaghi
ka firmosur edhe për tri vitet
e ardhshme (rinovimi deri në 2011)
te Lacio, por në kontratë është
parashikuar edhe një klauzolë, sipas
të cilës klubi ka mundësinë për
ta dhënë në formë huazimi në një
tjetër klub. Duket se tashmë ai është
bindur të transferohet te skuadra
e Kievos për 6 muajt e ardhshëm.
Në bazë të tratativave të përfolura
deri tani, bashkë me Inzagin te Kievo
do të kalojnë edhe Manfredini
dhe Makinaua. Ndërsa skuadra e
qytetit të Veronës do të japë në këmbim
sulmuesin e saj shqiptar, Erjon
Bogdanin. Realizimi i kësaj ideje po
bëhet përditë e më i mundshëm.
Gjithsesi, bisedimet mes Kievos dhe
Lacios vazhdojnë ende. Edhe vetë
Kievo vazhdon të jetë shumë e interesuar
për të larguar Bogdanin,
për të cilin tashmë ka dalë në skenë
edhe një mundësi e transferimit te
Siena. Në pritje të ardhjes së treshes
laciale, drejtori sportiv i Kievos,
Xhovani Sartori, po kërkon ta bindë
Sienën t‘i japë Kalaion në formë
huazimi dhe në këmbim propozon
Bogdanin. Siena është një njohje e
vjetër e sulmuesit shqiptar, i cili ka
luajtur me këtë skuadër për afro dy
sezone (janar 2005-qershor 2007)
me një bilanc: 49 ndeshje dhe 13
gola. Edhe vetë shqiptari do të
dëshironte të largohej nga Kievo,
ku po gjen shumë pak hapësira në
këtë sezon: nëntë ndeshje aktivizimi,
355 minuta lojë, asnjë gol dhe
me një notë mesatare 5.25. Vetëm
në dy ndeshje ka luajtur 90 minuta
të plota.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›