Kush festoi, Shqipëria reale apo ajo virtuale?
Që nga 31 dhjetori i vitit 2008, kur uroi shqiptarët për Vitin e Ri, Kryeministri po e vazhdon "shakanë" e tij për "begatinë ekonomike të shqiptarëve" dhe "rritjen ekonomike me dy shifra…".
Me shakanë e Kryeministrit, por edhe me "konfliktin e interesit të shifrave" po merret shumëkush këto ditë. Por, unë mendoj se në këtë rast nuk është fjala për konflikt interesi shifrash që ka një Kryeministër me ministrin e tij, që ka qeveria me opozitën, që ka një parti me një tjetër, që ka një specialist apo një analist me një tjetër specialist apo analist, por me "konflikt interesi shifrash" që Kryeministri ka me shqiptarët.
Ministrin e tij të Financave që kundërshtoi, e akuzoi për "konflikt interesi me shifrat…". Edhe zonjën Ann Margaret Westin e kundërshtoi "si burrat", por nuk e akuzoi për "konflikt interesi me shifra…".
Po shqiptarët e thjeshtë, ku e kanë konfliktin e interesit me shifrat"?
- …Çfarë do të blini për Vitin e Ri?
- Pse më pyet, s‘kam plan të bëj pazar! Unë nuk marr fare pension. Jam jashtë listave të qeverisë. Jam në një tjetër listë. Hajde, pyet Abdylin te dyqani i ushqimores, te shtëpia jonë. Në atë listë jam prej 12 vjetësh, e s‘po dalim dot nga e shkreta listë!…
Kjo ishte përgjigjja rebeluese e zotit Kadri. Për një çast, m‘u duk sikur ky burrë babaxhan urrente edhe veten e tij për varfërinë që e kishte mbërthyer.
U nisa drejt dyqanit të Abdylit, shitësit të ushqimores. Kioska ishte 100 metra më tutje, në rrugën "Pandi Dardha", në Laprakë, pranë ish-markatës së vjetër.
Thuajse të gjithë klientët e "listës së Abdylit" ishin të moshuar dhe artikujt që ata blinin ishin të "shportës": buka, vaji, kripa, mielli, patatja. Në listën e tij nuk ekzistonte mishi, vera, uji i gazuar, koka-kola, kikiriku etj. Ato dukeshin si fjalë të huaja për më se 12 vjet për Kadriun dhe dhjetëra të tjerë që ndodheshin në listë. Shitës Abdyli ishte tamam si një "hero" për ta, shpëtimtari, Mesia vetë. Atë që nuk po e bën shteti, për Kadriun dhe të tjerët që ndodheshin në listë, e bën shitës Abdyli. Për ironi të fatit, shuma më e madhe mujore që ndodhet në atë listë ishte 20 mijë lekë (të vjetra, sigurisht).
Më 31 dhjetor, kur shikonim "listën e Abdylit", Kryeministri i Shqipërisë, Berisha, numëroi sukseset e qeverisë së tij:
"... Viti 2008 ishte vit historik dhe i bekuar për shqiptarët. Me 3 prill të këtij viti, në Samitin e Bukureshtit, ne morëm ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO... Viti 2008 ishte viti i kurorëzimit me sukses të reformave ekonomike, revolucionit fiskal, i suksesit të luftës kundër korrupsionit. Këtë vit, Shqipëria zuri vendin e dytë në botë për suksesin e reformave ekonomike. U rendit në 10 vendet më të suksesshme të planetit në luftën kundër korrupsionit dhe qeveria e saj u shpall kampione për reformat e thella kundër kësaj lëngate të vërtetë...".
Po viktimat e Gërdecit (ndjesë paçin!), ku janë? A nuk janë edhe ata në "buxhetin" e 2008-ës"? A nuk ka përgjegjësi publike qeveria dhe Kryeministri ynë për ta? Kaq e vështirë ishte t‘i kujtonte dhe t‘u kërkonte falje familjarëve të tyre për atë tragjedi që edhe gazeta prestigjioze "The New York Times" e ka cilësuar "aferë shtetërore korruptive".
Po 73 rastet e vetëvrasjeve dhe 15 rastet e tentativës për vetëvrasje, vetëm në gjashtëmujorin e parë të publikuar edhe nga raporti i Ministrisë së Brendshme, a nuk duhet kujtuar në fjalimin e fundvitit nga Kryeministri? Edhe këta kanë lidhje me bilancet e qeverisë në një vit. Kryeministri ynë duhet ta dijë me siguri se pjesa dërrmuese e vetëvrasjeve, sipas raportit, janë për shkaqe ekonomike.
73 raste vetëvrasjesh, vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2008, janë shifra ngjethëse.
Janë shifra lufte.
Mos ndoshta duam të imitojmë botën për filmat horror?!
Në datën 31 janar, në një nga televizionet tona ishte ftuar një zonjë, përpara së cilës, mbi tavolinë, ndodheshin gjithë të mirat e botës.
- "Kujdes,- porosiste zonja simpatike shqiptarët. -Kujdes me obezitetin, domethënë, me dhjamosjen sonte. Nëse nuk doni të shtoni 2-4 kg, siç ndodh rëndom natën e Vitit të Ri, mishin e gjelit mos e zgjidhni të majmë. Përdorni perime dhe zarzavate sa më shumë. Majonezën gatuajeni vetë dhe mos përdorni atë të tregut, se ka shumë yndyrë… Mos përdorni kripë të zakonshme, por kripë të jodizuar, sepse të shëndosh. Sidomos me bakllavanë, kujdes!...
Përdorni vetëm verë të cilësisë së lartë!...
Ujin, zgjidheni ujin, ju lutem, dhe mos e pini atë vetëm në fund, por gjatë gjithë kohës…".
Urojmë që zoti Kadri dhe personat e tjerë të "Listës së Abdylit" dhe të të gjitha listave të ushqimit në Shqipëri, të mos e kenë parë atë emision. Çdo të thoshin 90 për qind e familjeve shqiptare që shpenzojnë mesatarisht 60 mijë lekë në muaj (sipas INSTAT-it, që beson Kryeministri)? Sa kushton vetëm një gjel deti? Dhashtë Zoti nuk e kanë parë, se hajde përfytyro se çdo të nxirrnin nga goja për politikanët tanë.
"Urim për vitin 1937!", shkruante Migjeni dhe me këtë pamflet tronditës, uronte një mikun e tij dhe shqiptarët 72 vite më parë.
"Shok i dashtun, unë, përgjithësisht, nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje, as për ndoj festë tjetër. Nuk shkruej, pse urimet që n‘ato ditë e gjithë bota ban, nuk dij a plotsohen një për qind - se pothuej të gjitha dalin nga hipokrizia. Bota këtë e din, por njësoj vazhdon të shkruej urime. As për Motmotin e ri, deri tash nuk i urova askujt asgja. Por, kësaj here due të hyj në radhën e njerëzve korektë dhe t‘u uroj shokëve të mi Motmotin e Ri të 1937.
Së pari, t‘uroj, shok i dashtun, gjumin e ambël - që të mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barrën e kryqave të vet tue shkue në Gollgotha...
Së dyti, mbas gjumit t‘ambël, t‘uroj - ç‘asht dhe e nartyrshme - të jesh i gëzuem. Nga gëzimi i madh, në sentimentalizëm, të puthish drrasat e dhomës e shtyllat...
Në rast se s‘ke zjarrm e ke të ftohtë, ti qeshu. Në rast se ndoj ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka dhe qeshu, qeshu. Del në rrugë bile, në kryqëzimin e udhëvet, dhe qeshu, qeshu, qeshu, e bota do të ketë zili e do të thotë: ah, sa i lumtun asht! E, kur të të vijë në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t‘i kujtohet botës vetja dhe do të fillojë të qeshi kikiki-kakaka...".
E kjo është Shqipëria reale. Me sa duket, politikanët tanë nuk duan t‘i shohin, apo bëjnë sikur nuk e shohin Shqipërinë reale, të vërtetë. Niveli i varfërisë ka arritur shifra të pakëndshme, njerëz të sëmurë që nuk blejnë dot as ilaçet, njerëz që vetëvriten se nuk gjejnë punë për të mbajtur gjallë fëmijët e tyre, njerëz që dhurojnë gjak për të siguruar të ardhura, njerëz të profesioneve të ndryshme, intelektualë që bëjnë punë nga më të rëndomtat, duke shkelur me këmbë dinjitetin e tyre. Kjo është demokracia që propagandohet. Mesa duket, politikanët tanë kështu e mendojnë, ose bëjnë sikur mendojnë për të...