E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet e turpit ne Shqiperine qe po ndryshon

Adelina Smajli, një vajzë shqiptare u shfaq në emisionin e mëngjesit të ‘Canale 5‘ dhe kërkoi ndihmë. "Dua punë", -tha Adelina. "Jam e detyruar të qëndroj në Itali, -tha ajo, po u ktheva në Shqipëri, atje jam e vdekur". Në Shqipëri, do të më vrasin, bëri të ditur Adelina.

Shqipëria nuk është një vend ku ajo ka besim se mund të jetojë. Një vajzë e shqiptare, e nxjerrë në trotuaret e Italisë për punë, e rrahur dhe e përdhunuar, me dhëmbë të thyera dhe mish të damkosur, ka frikë të kthehet në vendin dhe shtëpinë e saj, te njerëzit e saj, mes shokëve dhe shoqeve në Shqipëri, ndonëse spote televizive flasin për një Shqipëri të sigurt e që ndryshon.

Në dëshminë e saj, Adelina tregoi për katër vitet e saj në ferrin e prostitucionit, për kapjen nga policia italiane, për kthimin me forcë në Shqipëri dhe ridërgimin e saj për të disatën herë në trotuaret e Italisë. Fytyra e Adelinës dhe mënyra e të shprehurit të saj tregonte jo vetëm për tmerrin që kishte hequr, por edhe tmerrin më të madh nga kthimi në Shqipëri.

Një vajzë shqiptare nuk kthehet në Shqipëri. Nuk kthehet ashtu sikurse nuk kthehen edhe të tjera shoqe të saj, një prej të cilave ka deklaruar se nuk do as t‘i dëgjoj emrin një vendi, nëpunësi i gjendjes civile të të cilit e martoi në moshën 13-vjeçare me atë që mashtroi prindërit dhe e dërgoi fill e në rrjetin e pedofilëve dhe trotuareve plot zi e vaj shqiptarësh.

Adelina, në "Canale 5" tregoi se gjeti forca për të denoncuar shfrytëzuesit e saj, se ka filluar një jetë të re, se shkruan libra dhe punon gazetare në një radio lokale, e se do të punojë dhe jetojë në Itali. Si pasojë e denoncimit të Adelina Smailit dyzet njerëz u futën në burgje dhe vuajnë dënimin atje.

Dyzet! Ǒtmerr! Dyzet familje, mes mijëra të tjerave, janë mburrur se kanë djemtë në Itali dhe se ushqehen me paratë që vijnë prej tyre. Shteti është mburrur me kontributin e dyzet emigrantëve, mes mijëra të tjerëve, për Shqipërinë që po ndryshon. Bankat kanë shënuar dërgimin e parave nga ata. Bankat i kanë dhënë ato para për ndërtimin e shtëpive a të bizneseve të Shqipërisë që po ndryshon.

Kush janë ata dyzet kodoshë që vuajnë dënimin në burgjet e Italisë?

Italia i di. Ne shqiptarët nuk i dimë. Ne nuk informohemi. Policia italiane nxjerr në TV fytyra keqbërësish. Ministria e Rendit e Shqipërisë mburret për bashkëpunimin e saj me italianët, por gjëra nga dosjet e turpit nuk i tregon. Nuk nxihet realiteti shqiptar, përparimi i Shqipërisë nga bëmat e vajzave, djemve dhe burrave të saj që jetojnë në ferrin e prostitucionit.

Ministria e Rendit bën atë që bëjnë njerëzit në mjediset e mafies dhe Kamorrës italiane, ata që shihen në filma që as shohin e as dëgjojnë dhe as flasin. Dhe turpi i Shqipërisë rritet e rritet në Shqipërinë që po ndryshon. Po ashtu rritet dhe turpi i mjeteve të informimit publik në shërbim të qeverisjes parapaguese për to dhe jo në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve të varfër.

Dalja në televizionin italian e Adelina Smailit, fjalët e saj, fytyra e vuajtur, sytë e përlotur tregojnë më shumë se sa spotet e qeverisë shqiptare për Shqipërinë që po ndryshon.

Njerëzit besojnë atë që shikojnë. Evropa dhe evropianët besojnë atë Shqipëri që shikojnë në radhë të parë në vendet e tyre.

Askush nuk beson tek ajo që qeveritarët tregojnë për punën e tyre të mrekullueshme qeverisëse. Veçanërisht në një mjedis qeverisës si ky shqiptar ku mashtrimi politik dhe gënjeshtrat e ndërsjella mes shumicës dhe pakicës qeverisëse janë synxjerrëse dhe përçarëse për shqiptarët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›