E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë, më të kthjellëta në financë e biznes?

Në vitin 1997, Bruslej Born, presidentja e "Commodities features trading assocation", i kërkoi kongresit një legjislacion për përdorimin e derivateve. Alan Grenspan dhe Robert Rubin, respektivisht në krye të Rezervës Federale dhe Thesarit, e refuzuan këtë ide. Born perceptoi rrezikun që ekonomia amerikane rrjedh në mënyrë ndryshe nga ajo që mendojnë kolegët meshkuj, për të cilët rreziku nuk ekziston. Motivi? Psikologjia e ndryshme e dy sekseve. Edhe tregu financiar ka psikologjinë e tij. Këtë e ka shpjeguar Xhon Kejnes, ekonomisti që shpëtoi Amerikën nga Depresioni i Madh. Ajo që nuk dinim është se kriza aktuale dhe financat globale janë të lidhura ngushtë me prodhimin hormonal të meshkujve, duke parë edhe praninë e tyre të lartë në këtë sektor. Një studim i Universitetit të Kembrixhit mbi një kampion nëpunësish britanikë në sektorin financiar tregoi se fitimet mbi mesataren te meshkujt rrisin prodhimin e testosteronit, hormonit të burrërisë. Shumë testosterone krijojnë të ashtuquajturën "euforinë e fitores", një ndjenjë e gjithëpushtetshme që e çon individin në rrezik. Ja se si mund të lexohet kriza e vitit 1929 sipas këtij studimi: rrënimi i madh i dha fund një periudhe euforie në tregje, gjatë së cilës operatorët meshkuj u krodhën në borxh deri në fyt për të blerë aksione, vlera e të cilave do të rritej. Bëhet fjalë për flluskat klasike financiare. Pavarësisht se shumë tregues ekonomikë e parashikonin krizën, askush nuk ua vuri veshin, sepse të gjithë ishin viktima të një optimizmi të ekzagjeruar dhe të pajustifikuar. Intoksikimi i hormoneve të suksesit ndryshon perceptimin e rrezikut, një faktor që me siguri ka ndikuar në krizën ekonomike aktuale. Euforia e fitores neutralizon në trurin e njeriut procesin e vlerësimit racional. Kjo tregohet në një studim të Universitetit të Harvardit, sipas të cilit mes nivelit të testosteronit dhe rrezikut ka një lidhje shumë të ngushtë. "Dyshoj se ‘Lehman Sisters‘ do të kishte rrezikuar aq shumë sa ‘Lehman Brothers‘", bën me dije Ana Holt, këshilltare administrative e disa shoqërive financiare amerikane. Një rrezik tjetër i madh nga ana e gjinisë mashkullore është edhe ai i pagave: meshkujt negociojnë për pagat me më shumë agresivitet dhe dinë të shiten më mirë se koleget e tyre. Megjithatë, studimi i bërë në Harvard tregoi se rendimentet profesionale të grave janë më të mira se ato të kolegëve meshkuj. Me pak fjalë, seksi i dobët di t‘i administrojë më mirë paratë. Në fakt, bankat e vetme që nuk janë përfshirë në krizën e kredive janë ato që kanë gra në pozicione drejtuese, shpjegon Heather Mcgregor, një specialist finance në bankën "City" në Londër. Sipas profesor Xhoe Herbert, të Universitetit të Kembrixhit, hormonet mashkullore luajnë një rol shumë të madh edhe në situatat stresuese në ambientet e punës. Nëse testosteroni kalon pragun e rrezikut me të cilin jemi të predispozuar të ndeshemi, një tjetër hormon, kortizoli, i bën meshkujt shumë herë më të kujdesshëm dhe më të vëmendshëm ndaj lëkundjeve të tregut. Meqenëse prodhohet nga organizmi në kohën e një ngarkese psikologjike shumë të madhe dhe në kohën kur paqëndrueshmëria e tregjeve është e lartë, kortizoli zmadhon rreziqet dhe përfundon me zgjatjen e fazave të kontraktimit të tregut. Sipas Xhon Koates, bashkautor i studimit të bërë në Kembrixh, ndërhyrja e bankave qendrore në javët e para të krizës financiare nuk e riktheu besimin te tregjet, sepse operatorët janë nën "efektin" e kortizolit, që i bën të mos kenë besim tek askush. Janë si fëmijë të trembur. Xheremi Holt, një psikolog që përgatit personelin e bankave të investimeve në betejën financiare, pohon se prodhimi i tepërt hormonal, i lidhur me fazat e rënies dhe ngjitjes së tregut, i bën meshkujt të përfundojnë në një zonë ku vepron e pandërgjegjshmja, irracionalja, që varion nga euforia deri te depresioni, në varësi të humbjes apo fitimeve. Të gjithë janë të mendimit se vendimi për ta lënë "Lehman Brothers" të falimentonte ishte irracional. Bernanke dhe Polsen, respektivisht në krye të Rezervës Federale dhe Thesarit Amerikan, nuk e parashikuan dot që falimentimi i një prej katër bankave më të mëdha të investimeve në botë do të çonte në shkatërrimin e të gjithë sistemit, edhe pas një viti përpjekjesh për shpëtimin e bankave në rrezik. Edhe Tim Geinther, president i Rezervës Federale të Nju Jorkut, i dominuar nga Obama në krye të Thesarit, është dakord me këtë optimizëm surreal. Fuld, që prej më shumë se një dhjetëvjeçari drejton "Lehman", vepron në mënyrë analoge: dhjetë ditë para falimentimit, ai refuzoi një ofertë shumë të majme për blerjen e bankës nga Koreja. Motivi? Siguria se nuk mund të falimentonin. Atëherë si është mundur që në pragun e krizave, gratë mbajnë një kufi racionaliteti më të lartë se meshkujt? Kjo del nga një studim i bërë nga "Moneywise.com", një gazetë financiare angleze, që shkruan se 25 për qind e burrave janë të shqetësuar për financat e tyre, për shkak të krizës së kredive, kundrejt 43 për qind të grave. Edhe pse 65 për qind e të dyja sekseve sot shpenzon më pak, kursimet e meshkujve përbëjnë vetëm një pjesë të atyre të bëra nga femrat. Gratë kanë një raport më racional me paranë, më pak emotiv dhe janë më shumë të prirura ndaj kursimeve. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur qeveria islandeze, e cila në krye të dy bankave më të mëdha në vend ka vendosur dy gra. Në fakt, financa nuk është sinonim i rrezikut. E rrezikshme është prania e madhe e meshkujve që në disa rrethana të caktuara sjell rreziqe. Gjithmonë të paragjykuara, gratë kanë qëndruar larg drejtimeve dhe administrimeve të institucioneve financiare. Statistikat tregojnë se për femrat është më e lehtë të bësh karrierë në ushtri se sa në financë. Përfshirja e tyre në këtë sektor është formula më e mirë për të zgjidhur krizën e kredive dhe shmangien pas disa dhjetëvjeçarësh të një tjetër "flluske" financiare, që mund të trondisë ekonominë botërore. Nëse për të mbajtur në jetë racën njerëzore janë të nevojshme të dyja sekset, përse të mos i përdorim për të dalë nga kjo gjendje ende e pakonceptueshme në të cilën është zhytur sot ekonomia.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›