Bogdani, sa shumë oferta!: Roma, Kievo, Torino e Udineze

Si rrallëherë Erjon Bogdani është përballur me kaq shumë oferta në karrierën e tij të gjatë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare dhe i Sienës është kthyer në "gjahun" më të kërkuar të merkatos italiane, teksa shumë drejtues klubesh e kanë takuar gjatë këtyre ditëve, duke i paraqitur ofertat konkrete. Roma, Kievo, Udineze, Torino, por edhe klube nga Seria B kanë kontaktuar me bomberin shqiptar dhe po i vardisen Sienës që ta lërë të largohet. Ndërkaq, Bogdani vazhdon të përgatiten për sezonin e ardhshëm dhe është në formë optimale, në një kohë që operacionet e merkatos kanë arritur kulmin. "Vazhdoj të stërvitem rregullisht me Sienën dhe jemi në kulmin e fazës përgatitore", - thotë sulmuesi që shënoi 11 gola në Serie A sezonin e kaluar, ndërkohë që shpreh habinë e tij për ofertat e shumta që kanë ardhur në adresën e tij. "Të gjitha ato që janë shkruar në shtypin italian janë shumë të vërteta, ka pasur me të vërtetë shumë oferta dhe kam mbetur i habitur, - vijon bomberi. – Megjithatë, si zakonisht në merkaton italiane gjërat ndodhin gjatë pesë ditëve të fundit, kështu që kjo mund të ndodhë edhe këtë vit. Shpresojmë të arrijmë dicka të mirë". I pyetur nëse klubet që janë interesuar për të e kanë kontaktuar, shqiptari pohon duke shpjeguar edhe gjendjen e tratativave mes këtyre klubeve dhe Sienës. "Roma, Kievo, Udineze, Torino apo edhe klube të Serisë B, kanë paraqitur oferta konrete për mua, - thotë Bogdani. – Të gjithë përfaqësuesit e këtyre klubeve kanë ardhur të më takojnë dhe më kanë bërë oferta konkrete, por ende nuk është gjetur një akord". Dy ditë më parë presidenti i Sienës, De Luka deklaroi se kartoni i lojtarit shqiptar tashmë vlen gjashtë milion euro, një shifër që megjithatë nuk i ka trembur klubet kandidate për të marrë shërbimet e Bogdanit. "Po, është e vërtetë që presidenti i Sienës u ka kërkuar këtyre klubeve 6 milion euro për kartonin tim, megjithatë asnjë prej tyre nuk është tërhequr. Të gjitha janë paraqitur të gatshëm të plotësojnë kërkesat e mija, qoftë edhe ato financiare, por cështja është se duhet që oferta e tyre të kënaqë edhe drejtuesit e Sienës", - vijon sulmuesi shqiptar, i cili është në mëdyshje për zgjedhjen e tij të ardhshme. Duket haptazi që Bogdani kërkon të arrijë në një klub të madhe dhe ambicioz, dhe kjo është arsyeja kryesore që ai po zvarrit vendimin përfundimtar. Si gjithmonë ai nuk harron të vlerësojë Sienën dhe nënvvizon faktin se është i kënaqur për rinovimin e kontratës me klubin toskan disa muaj më parë. "E rëndësishme është që unë po stërvitem mirë te Siena, një klub që më bën të ndihem mirë dhe më ka dhënë shumë. Jam i kënaqur që rinovova kontratën me këtë klub pak muaj më parë. Do të pargohesha prej këtu, vetëm në rast se do të më vinte një ofertë e parezistueshme dhe shumë e mirë", - përfundon futbollisti i kombëtares shqiptare.
Erjon Bogdani do të niset sot drejt San Marinos ku do të grumbullohet me kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë do të luajnë më datë 16 gusht ndaj Republikës së vogël, në debutimin zyrtar të trajnerit të ri Oto Baric. Sulmuesi shqiptar thotë se nuk ka folur ende me Baricin dhe se ky i sotmi do të jetë kontakti i tij i parë me trajnerin kroat. "Nesër (sot) do të nisem drejt San Marinos ku do të grumbullohemi me skuadrën kombëtare. Nuk kam folur me Oto Baricin dhe ky do të jetë takimi ynë i parë. Besoj, se aty do të flasim dhe do të diskutojmë për cështjet që kanë të bëjnë me skuadrën", - është shprehur Erjon Bogdani, i cili ka shtuar se ndihet mirë për këtë grumbullim në kombëtaren shqiptare, ndonëse bëhët fjalë për një takim miqësor me modestët e San Marinos.
Fatjon Kodra