E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bylykbashi: “E ardhmja ime? Vendos pas San Marinos”

Prej më shumë se një jave Dorian Bylykbashi pritet të mbërrijë në klubin e Partizanit, në një kohë që presidenti Albert Xhani deklaronte se me lojtarin është arritur akordi dh do të jetë sërish i kuq. Megjithatë, ditët kaluan edhe fantazisti elbasanas nuk u duk në kryeqytet, ndërkohë që ishte e pamundur të komunikoje me të. Pas shumë përpjekjesh për t'i lidhur në linjë telefonike me vetë futbollistin, i cili kishte kthyer gjithcka i përket të ardhmes në një mister, dje arritëm të komunikonim me të. Aktualisht, Bylykbashi pohoi se gjendej në Elbasan, ku po stërvitej individualisht në pritje të nisjes drejt San Marinos, ku do të luajë miqësoren e radhës me ekipin kombëtar shqiptar. Për të ardhmen, elbasanasi u shpreh se do të vendoste gjithcka pas ndeshjes me kombëtaren, që do të luhet më 16 gusht. "Nesër (sot) do të nisem drejt San Marinos me ekipin kombëtar. Besoj se pasi të kthehem do të zgjidh përfundimisht cështjen e të ardhmes", - u shpreh Bylykbashi. Mesfushori sipas deklaratave të mëparshme duhet të ishte drejt Ukrainës, atje ku një skuadër e kategorisë së parë është e interesuar për shërbimet e tij. Mirëpo, udhëtimi për të kaluar një provë në Ukrainë, nuk ndodhi, dhe kjo sipas futbollistit erdhi për shkak të impenjimit me kombëtaren shqiptare. Pasaporta e tij ka qenë në duart e zyrtarëve të federatës, që janë marrë me pajisjen e lojtarëve me viza, kështu që Bylykbashi ka qenë i detyruar të qëndrojë në Shqipëri. "Për shkak të dokumenteve nuk kam arritur në nisem në Ukrainë, pasi pasaporta ka qenë në ambasadën italiane. Nisjen mendoj ta bëj pas ndeshjes së kombëtares, nuk i kam humbur akoma shpresat për të provuar një aventura jashtë Shqipërisë", - vijon mesfushori që sezonin e kaluar mbrojti ngjyrat e Partizanit. Skuadër tek e cila mund të rikthehet sërish, nëse përpjekjet për t'u transferuar jashtë nuk do të shkojnë në rrjedhën e duhur. Kontrata e tij me të kuqtë ka skaduar, por presidenti Xhani i ka ofruar një të re për këtë sezon me kushte mjaft të mira. E megjithatë, futbollisti shfaqet i lëkundur për idenë e vazhdimit të karrierës në Shqipëri. "Kam mbajtur kontakte me presidentin e Partizanit, Albert Xhani dhe e kam njoftuar për të gjitha zhvillimet e reja të merkatos, - u shpreh Bylykbashi. - Megjithatë, unë mbetem në të njëjtat pozita dhe do të mbaj premtimet. Nëse nuk arrij të bie dakord me skuadrën që më kërkon në Ukrainë, atëherë do të rikthehem te Partizani. Koha nuk premton pasi në Ukrainë kampionati ka nisur prej disa javësh, megjithëse merkato vazhdon të jetë i hapur. Nëse nuk ia dal mbanë të gjej një marrëveshje në këtë periudhë, atëherë shanset për të luajtur jashtë këtë verë janë humbur", - përfundoi mesfushori 26-vjecar. Handikapi i vetëm i futbollistit është gjendja e tij fizike, që nuk optimale, pasi ai nuk ka kryer një fazë përgatitore të plotë me Partizanin apo edhe Elbasanin.
Fatjon Kodra

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›