Kombëtarja, sot grumbullimi në San Marino

Delegacioni i Kombëtares shqiptare të futbollit ka mbërritut sot drejt San Marinos ku përfaqësuesja do të zhvillojë miqësoren e fundit para fillimit të eliminatoreve të Evropianit. Kombëtarja do të luajë të mërkurën ndaj San Marinos, në një takim që do të shënojë edhe debutimin e trajnerit Oto Baric në stolin e përfaqësueses kuqezi. Delegacioni shqiptar do të jetë i përbërë nga drejtuesit më të lartë të FSHF-së, anëtarët shqiptarë të stafit teknik dhe lojtarët e përzgjedhur nga tekniku që aktivizohen na kampionatin vendas. Janë plot nëntë lojtarë që aktivizohen në Kategorinë Superiore dhe të përfshirë në listën e Baricit. Nisja do të behët rreth mesditës nga Tirana, për t'u zbarkuar në Bolonja, nga më pas do të udhëtohet me autobus për në San Marino. Trajneri i kombëtares, Oto Baric së bashku me ndihmësin e Sllavko Kovacic do të udhëtojnë nga Kroacia drejt e në San Marino. Edhe legjionarët e tjetër të thirur për këtë takim, do të grumbullohen në San Marino, pa pasur nevojë për të ardhur në Shqipëri më parë. Të martën kuqezinjtë do të zhvillojnë edhe seancën e vetme stërvitore para ndeshjes dhe të mërkurën në orën 20:30 do të zbresin në fushë në ndeshjen e parë pas më shumë se katër muajsh. Ndërkaq, gjatë qëndrimit në republikën e vogël, drejtuesit e FSHF-së do të kenë mundësi të diskutojnë rreth të cështjeve të mbetura ende pa zgjidhur në stafin teknik. Bëhet fjalë për konratën e ndihmësit Kovacic, ndërkohë që Baric do të ketë mundësinë të diskutojë projektet e tij për kombëtaren me të gjithë pjesëtarët e stafit. Pas ndeshjes, legjionarët kuqezi do të kthehen drejt e në klubet e tyre, ndërsa pjesa tjetër e delegacionti do të udhëtojë drejt Shqipërisë.