Tare-Lacio,sa e vështirë bashkëjetesa

Ai është shprehur shpeshherë gjatë merkatos verore se ndihet mirë tek ekipi i Lacios dhe se nuk ka ndërmend të lëvizë. Ndërkaq, drejtuesit e klubit bardhekaltër kanë afruar edhe dy sulmues të tjerë të rinj, si Makinua dhe Himenez. E megjithatë, përsëri Igli Tare nuk do t'ia dijë dhe vazhdon të këmbëngulë se do të qëndrojë te Lacio edhe këtë sezon. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka refuzuar ofertat që kanë ardhur në adresën e Lacios, ndërkohë që drejtuesit e klubit janë të gatshëm ta shesin shqiptarin në një klub tjetër. Një nga rastet më të fundit ishte mundësia e transferimit te Breshia, ku Tare do të rigjente një vend si titullar dhe një publik që e ka duartrokitur për shumë vjet në Serinë A. Edhe këtë ofertë sulmuesi shqiptar e refuzoi, duke i hapur telashe drejtuesve të Lacios, që ka bërë plane të tjera për të ardhmen e skuadrës. Në miqësoren e fundit të zhvilluar nga bardhekaltrit në Norcia, Tare ka luajtur vetëm në 30 minutat e fundit të takimit, duke mos treguar në ansjë moment ndoënj shkëndijë. Përvec kësaj, lojtari i kombëtares shqiptare nuk ka dialoguar në fushë sic pritej me blerjen e re të Lacios, Makinua. Ky i fundit është shfaqur në formë të shkëlqyer, duke shënuar gola në të gjitha takimet. Sipas shtypit italian, Tare dhe Makinua janë dy lojtarë shumë të ngjashëm dhe nuk mund të formojnë një dyshe sulmuese. Shtatlarti shqiptar nëse në fund të merkatos do të vendosë të qëndrojë sërish te Lacio, vështirë se do ta shikojë fushën e lojës. Ndërkaq, Tare do të grumbullohet sot me kombëtaren, në kuadrin e ndeshjes me San Marinon. Ndoshta trajneri i ri Oto Baric, do ta këshillojë atë të gjejë një skuadër që të mund të luajë e jo që të qëndrojë në stol, pasi në këtë mënyrë nuk do të ishte një cudi nëse ai do të humbiste vendin në përfaqësuese.