Bogdanoviç: Në Kosovë ka dy realitete jug e veri
Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, ka deklaruar se në Kosovë ka dy realitete, njëra në jug e tjetra në veri të lumit Ibër.
“Serbët në jug të Ibrit jetojnë të rrethuar nga shqiptarët dhe deshën s`deshën duhet të bashkëpunojnë me institucionet shqiptare. Mirëpo, në Veri të Kosovës ekziston mjedisi kompakt serb dhe serbët s`kanë asnjë kontakt me institucionet e Kosovës” ka theksuar Bogdanoviç në një intervistë duke iu referuar zgjedhjeve në Kosovë.
Ai ka thënë se Prishtina i ka shfrytëzuar zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë për t`i futur në grindje serbët e Kosovës.
“Fakti se serbët në jug të Ibrit kanë dalë në zgjedhje pavarësisht rekomandimit të qeverisë së Serbisë, nuk do të thotë se vullneti i mirë i tyre ka ndonjë domethënie për Prishtinën”, ka vlerësuar ai, duke shtuar se Prishtina synon t`i fusë në grindje serbët në çfarëdo mënyre”.
Ai ka theksuar se sipas të dhënave nga terreni nuk mund të pohohet se shumica e serbëve kanë votuar për Partinë e Pavarur Liberale.
“Kur të vjedhin, mund të thuani se keni fituar sa të dëshironi. Dihet se çfarë ka ndodhur në Shtëpcë e Graçanicë”, ka thënë ministri për Kosovën. Ai ka shtuar se ndarja në veri e jug “heq rrënjët që nga viti 1999”, që do të thotë se nuk është krijuar tani.