E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkup, dështon mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë

Parlamenti i Republikës së Maqedonisë hodhi poshtë mocionin e ngritur nga opozita për votëbesim ndaj Qeverisë së drejtuar nga Nikolla Gruevski.
Ashtu siç pritej, pjesa më e madhe e deputetëve në sallë u shprehën kundër mocionit, 64 deputetë, dhe vetëm 29 deputetë ishin pro rrëzimit të Qeverisë së koalicionit mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Deputetët e Parlamentit të Maqedonisë prej dy ditësh zhvilluan debate të ashpra ndërmjet tyre, dhe mbrëmë vonë u votua për mocionin.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, e mbështetur edhe nga forcat e tjera të opozitës, kërkuan rrëzimin e Qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për shkak se sipas tyre, kjo qeverisje nuk ka shënuar përparime në asnjë fushë të reformave, zhvillimit ekonomik dhe proceseve eurointegruese.

Partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski nënvizoi se opozita nuk ka argumente serioze për shpërndarjen e Parlamentit, dhe se koalicioni i tyre po miraton ligje reformatore dhe projekte ekonomike dhe sociale.

Kundër mocionit të mosbesimit është deklaruar edhe partia shqiptare në pushtet BDI, e cila ka vlerësuar se paraprakisht duhet zgjidhja e kontestit të emrit dhe zhbllokimi i proceseve euroatlantike, dhe më pas organizimi i zgjedhjeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›