E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdanoviç, serbëve: Mos mbani zgjedhje lokale në Kosovë

Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, tha dje se serbët duhet të heqin dorë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Nuk duam që në asnjë mënyrë të shkelim Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe të vëmë në rrezik serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër, tha Bogdanoviç për mediat serbe, duke kujtuar përgjigjen negative edhe të misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, për ndihmë në mbajtjen e zgjedhjeve. Kjo nuk do të thotë se institucionet e Serbisë do të shuhen. Përkundrazi, zgjedhjet lokale nuk janë mbajtur nga viti 1999 deri më 2008, dhe institucionet tona kanë mbijetuar. Kanë qenë ndoshta edhe më të forta se ato që janë formuar pas mbajtjes së zgjedhjeve, shtoi ai. Bogdanoviç i ka dënuar paralajmërimet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në dy komuna të Veriut të Kosovës. Apeloj që të heqin dorë nga organizimi i zgjedhjeve lokale në Veri të Kosovës, sepse ekzistojnë mënyra të ndryshme që qeveritë lokale në Veri të vazhdojnë të funksionojnë, theksoi ai, duke faktuar stimulimin që jep Beogradi për ekzistencën e strukturave paralele në Kosovë. Edhe pse Serbia ka organizuar disa herë zgjedhje në Kosovë që nga koha e luftës, rezultatet e tyre nuk janë njohur si të ligjshme nga ndërkombëtarët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›