E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdanoviq vizitoi serbët e kthyer në tri fshatra të Istogut

Istog, 8 gusht- Ministri për çështje të kthimit në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, të dielën,  ka marrë pjesë në shënimin e 10- vjetorit të fillimit të kthimit të serbëve në komunën e Istogut, ndërsa pastaj ka vizituar edhe serbët e kthyer në Zallq dhe Dragolec. Ai  në Osojan , në një prononcim të shkurtër për gazetarë,   ka thënë se Qeveria e Serbisë është e gatshme për dialog me shqiptarë dhe ka porositur serbët që “t’ u shtrijnë dorën e pajtimit fqinjve shqiptarë”, si dhe ka porositur  të dy palët që të mos shikojnë nga e kaluara, por nga ardhmja, sepse  nëse ka vullnet, ka edhe perspektivë  për jetë të përbashkët. Ai, zgjidhjen e problemeve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve e sheh përmes kompromisit, siç tha ai.  “Nuk është mirë që të favorizohet njëra palë më shumë se tjetra, sepse kjo i bie sikur ke dy fëmijë dhe njërin prej tyre e përkrah më shumë se tjetrin. Nuk duhet njëra palë ta ndiej vetën të favorizuar më shumë se pala tjetër në Kosovë, në këtë  kontekst, populli shqiptar nuk guxon ta ndiejë veten si popull i dorës së parë në raport me popullin serb”, ka theksuar ministri serb para objektit të shkollës fillore “Radosh Toshiq” të Osojanit.  Ndërkaq në një pyetje të një gazetari lokal se a është trajtuar populli shqiptar ndonjëherë si popull i dorës së dytë, Bogdanoviq, si me ironi , tha se kjo fatkeqësisht është e vërtetë, por një e vërtetë që  duhet të harrohet. Ministri  Bogdanoviq  ka njoftuar se Qeveria e Serbisë ka ndarë 10 milion dinarë si dhe ka siguruar edhe një traktorë me pajisje buqësore, ndihmë në farëra dhe plehra për të mbjella vjeshtore për serbë të kthyer. Ndërkaq, Dragan Jevtiq , përfaqësues i serbëve të kthyer ka posositur ministrin Bogdanoviq që të mos politizohet situata e sigurisë në Zallq dhe kjo te arrijë deri në KS të OKB-së, ngase e vërteta është ndryshe dhe problemet që ndodhen në Zallq , të njëjtat ndodhin çdo ditë në të gjitha vendet e botës. Ai ka falënderuar për sigurinë dhe për kujdesin gjatë gjithë kohës policinë e Kosovës.
Jevtiq e ka njofuar Bogdaniviqin se Ministria për Kthim e Kosovës ka nisur ndërtimin e 15 shtëpive në fazën e parë dhe 5 të tjera pritet të fillojnë në fazën e dytë dhe ka bërë të ditur se serbët nuk kanë problem me sigurinë dhe se ata qarkulojnë lirshëm anënkënd Kosovës. ”Unë mund të shkoj lirshëm të pijë kafe në Istog, Pejë, Llaushë, Skenderaj,  Prishtinë… pa asnjë problem”, ka përfunduar fjalën e tij Jevtiq.
Në anën tjetër, në  fshatin Zallq, ku është pritur ftoftë nga numër i vogël serbësh të kthyer , Bogdanoviq, derisa ishte i shoqëruar edhe me të ashtrëquajturin kryetar i konmunës së Istogut, Soro Repanoviq ,  ka kërkuar nga ta që të shtrijnë dorën e pajtimit fqinjve shqiptarë dhe të jetojnë bashkarisht dhe të mos shikojnë prapa. “ Unë kam ardhur këtu të di për së afërmi se cilat janë prioritetet e juaja, në mënyrë që  Qeveria e Serbisë t’ u ofrojë ndihmë”, ka potencuar Bogdanoviq.
Ministri për Kosovë dhe Metohi në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, lejen për qëndrimin e tij në Kosovë e ka marrë nga Qeveria e Kosovës.
Këshilltarja për media në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Dafina Myrtaj, i ka thënë Kohës Ditore se Bogdanoviq do të qëndrojë në Kosovë me lejen e institucioneve. “Lejen që të hyjë në Kosovë ai e ka marrë nga institucionet e Kosovës, respektivisht nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi”, ka thënë Myrtaj.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, ka thënë se PK-ja do t’i ofrojë përcjellje Bodanoviqit gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›