E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bojatisja e Mjerimit

26/02/2005  Një nga problemet e më shqetësuese të shoqërisë tonë janë edhe pensionistët, të cilët, për shkak të nivelit të ulët të pensioneve, futen tek ajo kategori qytetarësh, pothuajse tërësisht e mënjanuar, ose e injoruar në shoqërinë shqiptare. Kohët e fundit, si për ta lehtësuar këtë situatë të mjerueshme, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë iniciativash. Më e fundit ishte futja e një linje urbane falas për pensionistët, një nismë që vjen pas një tjetër fushate të ngjashme “Pleqëri pa Vetmi” për uljen e çmimit të kafes për pensionistët. Pa paragjykuar qëllimin e mirë të Bashkisë, është shumë e rëndësishme të theksojmë, që këto nisma jo vetëm që nuk i kthejnë pensionistëve dinjitetin, sikurse pretendojnë, por përkundrazi e institucionalizojnë mënjanimin dhe injorimin e tyre shoqëror, nëpërmjet politikave, që, ndonëse, janë qartësisht të frymëzuara nga një logjikë ekonomike socialiste shiten si jo ideologjike. Situata bëhet akoma më shqetësuese atëherë kur politika të tilla pretendohet të zbatohen në të gjithë vendin.

Ndonëse vënia e një autobusi urban falas, në pamje të parë duket si një gjest tejet njerëzor, një qasje e tillë anashkalon thelbin e krizës së pensionistëve; pensionet e tyre qesharake në raport me çmimet në treg. Një politikë, e tillë që do të propogandohet si arritje e madhe e qeverisë socialiste, anashkalon pyetjen themelore: Përse shumë pensionistë shqiptarë, pasi kanë punuar 30 apo 40 vjet, nuk janë në gjendje të përballojnë udhëtimin urban? Përse ata nuk kanë mundësi të blejnë një abone mujore, që nuk kushton as 5 dollarë amerikan? Pra, shkurt: përse pensionet në Shqipëri janë kaq qesharake? Ky është thelbi i problemit. Natyrisht, pyetje të tilla nuk shtrohen, pasi ato do të nxirrnin në pah faktin se sistemi i sigurimeve shoqërore në Shqipëri ka dështuar në mënyrë spektakolare, se Qeveria socialiste është e paaftë të mbledhë taksa, se evazioni fiskal është më i larti në rajon. Të gjitha këto të çojnë te burimi i problemit të pensionistëve: dështimi i Qeverisë aktuale.

Nuk mund të ketë rritje të pensioneve kur e gjithë skema e sigurimeve shoqërore është e dështuar, kur Qeveria, për shkak të niveleve të larta të korrupsionit, nuk ka as kapacitetet, as vullnetin të mbledhë mjafueshëm taksa, kur barra fiskale është e tillë që i shtyn bizneset të kalojnë në informalitet. Me pak fjalë, meqenëse nuk merremi dot me thelbin e problemit, atëherë le të gjejmë një zgjidhje dekorative. Autobus falas për pensionistët tanë të dashur! Ironia therëse qëndron në faktin që, pikërisht, faktori përgjegjës për mjerimin e pensionistëve, Qeveria socialiste, do ta propagandojë nismën e Bashkisë së Tiranës si një nga arritjet e mëdha të qeverisjes socialiste, ku kryebashkiaku i Tiranës është margaritari më i madh. Në këtë mënyrë anashkalohet gjendja skandaloze e skemës së sigurimeve shoqërore, mungesa e operatorëve privat në tregun e sigurimeve shoqërore dhe një sërë reformash të tjera, të munguara ose të dështuara.

Si për ironi, kjo nismë është propaganduar si një zgjidhje që do t’u kthejë dinjitetin pensionistëve, ashtu sikurse edhe nisma për uljen e çmimit të kafesë në disa kafene. Por, a i kthehet dinjiteti pensionistëve në këtë mënyrë? Mjafton të imagjinojmë një grup të moshuarish që presin autobusin e tyre falas në shi, vapë apo të ftohtë, ndërkohë që qytetarët e tjerë gëzojnë një shërbim më të shpejt dhe më komod, thjesht sepse ata mund të paguajnë 20 lekë të reja. Në këtë mënyrë pensionistët do diferencohen në shërbimin që ofrohet, pasi gjithmonë shërbimi falas është i një cilësie më të dobët sesa ai që ofrohet nga tregu, gjë që e provoi katërcipërisht eksperimientimi ynë me komunizmin. Jo vetëm që shërbimi do të jetë i nivelit më të ulët, por pensionistët do të ndahen fizikisht edhe nga pjesa tjetër e popullatës, duke e institucionalizuar kështu mënjanimin e tyre në shoqëri. Shumë shpejt autobusët falas të pensionistëve do dalloheshin lehtë nga autobusët e tjerë në treg, pasi, si çdo gjë falas, ato do të jenë të një cilësie më të ulët. Nuk është çudi që me kalimin e kohës ata të emërtoheshin edhe ‘autobusët e gjynafqarëve’. Pra, një politikë e tillë nuk i rikthen dinjitetin e humbur pensionistëve, por institucionalizon mjerimin e tyre sado humane që mund të duket në pamje të parë. Lëmoshat, qoftë edhe nga Bashkia, prodhojnë lypësarë jo njerëz me dinjitet. Për të kuptuar se sa e vërtetë është kjo mjafton të pyesim veten; sa nga ne do dëshironin të ishin në rolin e atyre që Bashkia u ofron një udhëtim falas? Sa prej nesh do ishin të kënaqur që pas një pune 30 apo 40-vjecare të falenderonim Bashkinë që na ofroi një autobus falas, pasi nuk kemi mundësi të blejmë një biletë 20 lekëshe?

Politika të tilla nga individë që duket se punojnë shumë, por mendojnë pak, janë të frymëzuara nga një mentalitet i majtë paternalist, ku shteti konceptohet si një baba që kujdeset për ‘fëmijët’ e tij, të cilët duhet të jenë mirënjohës për lëmoshat që u ofrohen. Për një mentalitet të tillë është e pakonceptueshme që në ekonominë e tregut dinjiteti i qytetarit nuk formësohet nga ‘bujaria’ e shtetit, por nga mundësia për të qenë klient, jo gjynafqar. Të jesh klient do të thotë të kesh mundësi që kafenë ta blesh dhe jo të presësh, që të ta ofrojnë, shteti apo dikush tjetër. Ndonëse politika të tilla shiten si ‘pa ngjyrë dhe kah’, ngjyra e tyre është e majtë dhe kahu negativ, pasi zgjidhjen e kërkojnë te ndërhyrja e shtetit në treg, qoftë duke kërkuar uljen e çmimit apo duke ofruar shërbime falas. Fatkeqësisht, ato shohin si zgjidhje, vetë problemin, shtetin.

Rrjedhimisht, politika të tilla në pamundësi për të ofruar diçka ofrojnë zgjidhje dekorative, duke i bërë tualet zbukurues situatës së mjeruar të pensionistëve me truke si kafeja me çmim të ulët, apo atobusi urban falas. Fatmirësisht politikave të tilla dekorative u del shpejt boja, që mbulon kalbëzimin e situatës. Gjithsesi ato të trishtojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›