E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kur 4 engjëj janë prapë pak...

26/02/2005  Brenda dy javësh, në Shqipërinë e vogël, u vetëvranë 4 fëmijë, katër herë pushtova dhe unë dy djemtë e mi nga dhimbja, por nuk mjaftoi, është një shoqëri e tërë e tronditur dhe çka të trondit më shumë është heshtja vrastare e shtetit jo-tim. Zoti më dhënt shëndet, për fëmijët e mi...

Të lindësh në një vend ose tjetër nuk është meritë. Të jetosh në mënyrë dinjitoze në çdo vend është një e drejtë. Nëse të miturit nuk mund ta jetojnë femijërinë e tyre ky është një krim. Ka shumë të vegjël që në Shqipëri ju ikën femijëria dhe fillimi i jetës pa asnjë shpresë, pikërisht ata që personifikohen shpesh herë me atë janë shumë të miturit e vuajtur në Shqipëri dhe ç’ka kërkojnë ata është vetëm jeta, ata duan të jetojnë përpara se të vdesin. Por rrallëkush përpiqet t’ja u bëjë fëmijërinë të paqtë dhe të këndshme. Nuk ndjehesha mirë kur dëgjoja sot në edicionet e lajmeve fjalët bujëmëdha të ministres Meksi për integrimin evropian të peshkut dhe të midhjeve shqiptare... e kjo kur katër njomëzak nuk janë më mbi dhe, qindra të tjerë janë të ngujuar e të murosur së bashku me fëmijëritë e tyre ndër kulla dhe kioska mbi lanë në bash të Tiranës. Dhe një shoqëri e tërë civile hesht, siç hesht dhe shteti që shtron sirtaret me letrtat e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve (ratifikuar prej 15 vjetësh), ai harron çka si detyrim kushtetues ka për mbrojtjen e posaçme ndaj fëmijëve, ai toleron sektet e dala boje që rekrutojnë të miturit e pazotë juridikisht për të kuptuar dhe menduar. Eshtë një moshë e tërë e tronditur, ndaj asnjë shtetar nuk mund të flasë për demokraci dhe as të thotë që dikur ishte më keq. Ndoshta ashtu mund të ketë qenë, por të paktën atëherë nuk kishte kaq cinizëm. Nuk vinte askush me helikopter për t’i çuar bojëra dhe revista njomëzakëve të mardhur dhe të ngujuar për t’i lënë sërish nën tymin e motorit të helikopterit dhe të pafëmijërisë së tyre. Katër engjej janë tmerrësisht shumë, dhe sikur njëri prej tyre të kishte prerë vetëm dorën me dashje do ishte dhe do të tregonte shume... por në Shqipëri 4 të pafaj të mitur janë pak. Sërish nuk zgjohet nga gjumi i madh ministri i Arsimit, sërish ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale nuk e di që ka struktura në varësi të tij që merren me të miturit, siç hesht dhe ministri i missdashës dhe sponsorizues, ai i Rinisë Sporteve dhe Kulturës, vetëvrasja e tyre ka vrarë nga pak të gjithë, tregon që familja, shoqëria, shteti te këto katër krijesa ka dështuar. Askush nuk duhet t’i marrë këto vetëvrasje si të shkëputura dhe akte injorance ose deperesive adoleshence. Jo, kush është shqiptar e kupton mirë se çka na kalon nëpër mend edhe ne të rriturve në këtë xhungël pa zot... Janë 10 të drejta kushtetuese, që duhet të përmbushë shteti për fëmijët që nga lindja, ushqyerja, ndihma mjekësore, shkollimi, argëtimi deri dhe në mbrojtjen nga prindërit abuzues dhe të dhunshëm... Kur përmend sa me sipër kur di dhe si realizohet sa me sipër në strukturat e shtetit tim me vjen të lutem si rrallë herë e të them Zoti ruajtë fëmijët shqiptarë... Amen. Një nga paqedashësit e mëdhenj Kofi Anan thotë: "Nuk ka përgjegjësi më të shenjtë sesa ajo, që ka shoqëria kundrejt fëmijëve "Ndaj të paktën ne madhorët për të realizuar që fëmijët të jenë e ardhmja jonë më e mirë, duhet të ndalemi për një çast e të pyetemi, kush janë mendimet e tyre, opinionet e tyre, ëndrrat e tyre. Mendoni sa të thjeshta do të shndërroheshin shumë gjëra vetëm nëse ne do t’i dëgjonim më shumë dhe në kohën e duhur...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›