E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojaxhi: Po depozitojmë energji

• Prej disa ditësh KESH ka nisur depozitimin e energjisë në Kosovë, për ta rimarrë atë gjatë muajve të verës, atëherë kur dhe thatësira arrin kulmin e saj.

Një vendim i tillë është marrë pas përmirësimit të situatës hidrike në vend. Sipas të dhënave më të fundit nga KESH, niveli i Fierzës ka arritur në 290 metra, duke kaluar kështu pikën kritike. Në një situatë të tillë, ku prurjet e ujit janë të larta dhe hidrocentralet janë plot, Korporata vendosi që “tepricat” e energjisë t’i depozitojë në vende të tjera për t’i rimarrë ato gjatë muajve të verës. “Gjatë këtyre ditëve ne kemi filluar një procedurë me të gjitha kompanitë në rajon që kanë interes të hyjnë në marrëdhënie me ne, në lidhje me shkëmbimin normal të energjisë. Kjo do të thotë që ne të japim energji gjatë muajit prill, që është një muaj që historikisht ka pasur prurje të larta dhe të na e kthejnë këtë energji me një koeficient të caktuar në sezonin e gushtit, që është një sezon i vështirë”, ka deklaruar për mediat kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi. Kjo është e vetmja mënyrë që Korporata të mos shkojë dëm tepricat. Por nga ana tjetër, kreu i KESH-it në deklaratën e tij nuk ka përjashtuar edhe mundësinë që Shqipëria të eksportojë energji gjatë periudhës kur reshjet janë të larta, pasi shitja e energjisë tani për tani është e pamundur. Një gjë e tillë mund të realizohet pasi të formohet një kuadër ligjor që e lejon atë. “Nuk ka dyshim që Shqipëria për disa vite do të mbetet një vend importues neto, por kjo nuk do të thotë që për disa periudha të caktuara të vitit, sidomos gjatë periudhës së pranverës, ne të bëhemi një vend eksportues i energjisë, në mënyrë që të mos shkojmë drejt derdhjes së ujit në kaskadën e Drinit”, ka thënë drejtori i Përgjithshëm i Korporatës. Ndryshe nga më parë, këtë vit KESH nuk ka programuar zërin “ndërprerje të energjisë” si dhe nuk do të aplikojë skenarë të ndërprerjes së energjisë elektrike për të pasur importe sa më të ulëta. Përveç përmirësimit të situatës hidrike, KESH–i ka garantuar importin për tre muajt në vijim nga tenderi i bërë pak ditë më parë. Sipas të dhënave nga KESH, gjatë ditëve të fundit me përmirësimin e situatës hidrike, kërkesa më e madhe për energji plotësohet nga prodhimi vendas, i cili është 11.5 milionë kwh, ndërsa importi është 6.3 milionë kwh në ditë.  

situata

Fierza
290 metra niveli i ujit
296 metra niveli maksimal
243 metra pika e vdekjes
387 m3/sek prurjet e ujit
40 cm rritet në ditë niveli
Komani
170.45 metra niveli i ujit
176 metra niveli maksimal
140 m3/sek prurjet anësore
Vau i Dejës
73.93 metra niveli i ujit 
76 metra niveli maksimal
Konsumi
11.5 prodhimi vendas i energjisë
6.3 importi i energjisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›