E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigranti: Më aksidentoi grekja, shteti më përzuri

• “Vetëm fakti i të qenit shqiptar bën që në Greqi edhe pse i pafajshëm të konsiderohesh fajtor.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Jo vetëm kaq, por edhe drejtësia të mbajë sytë mbyllur”. Kështu deklaron Përparim Mataj, 42-vjeçari që nuk mund të shkelë në tokën greke për 5 vite, madje as në ndonjë vend të Bashkimit Evropian. Si të mos mjaftonte diskriminimi i grekëve, Mataj është ndier edhe më i fyer nga mbyllja e dyerve nga strukturat e shtetit shqiptar që ta ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes së tij, e cila mund të përfundojë duke e dënuar në mungesë në shtetin fqinj. “Ne jemi shqiptarë, por e keqja është se nuk kemi shtet dhe nuk kemi kush të na mbrojë. Unë ndihem i diskriminuar dyfish. Dhe kjo është më e keqja”, pohon Matja. Banori i fshatit Shamatë të Dukagjinit ka qëndruar prej 15 vitesh në Greqi, sipas tij me leje të rregullt qëndrimi. Kam punuar prej 15 vitesh duke respektuar deri në fund ligjet e shtetit helen. Vështirësitë ekonomike më çuan në Greqi për të mbajtur familjen”, sqaron ai. Përparim Mataj pohon se është akuzuar nga shteti grek për prishje të qetësisë së rendit publik në tokën helene. Shkak për ngritjen e akuzës e më pas largimin si të padëshiruar nga Greqia të Matajt është bërë një aksident i ndodhur në vitin 2002. Siç tregon ish-emigranti ai është aksidentuar nga një shtetase greke në këtë kohë. Pas dërgimit në spital dhe rikuperimit shëndetësor për Përparimin ka nisur kalvari i vuajtjeve dhe gjyqeve të njëpasnjëshme. Përfundimi ka qenë i njëjtë: heqja e të drejtës për të prekur tokën helene dhe ato të Bashkimit Evropian. Sipas Përparimit ka pasur prova të mjaftueshme që ai nuk ka qenë ai shkaktari i aksidentit, por shtetësja greke. Pikërisht për të shmangur detyrimet karshi shtetit dhe të lënduarit, autorja e aksidentit ka pohuar në gjyq se Përparim Mataj e ka kërcënuar. Sipas tij nuk ka pasur asnjë provë që të vërtetohej kërcënimi, i cili nuk ekzistonte. Por pala greke e ka marrë si të mirëqenë pohimin e shtetases së saj. Dhe vendimi i gjykatës ka qenë fatal për shqiptarin. Përparim Mataj ka shkuar në ambasadën shqiptare në Greqi, por asnjëherë nuk i është hapur kjo derë, edhe pse kërkesat e tij zyrtare kanë qenë të vazhdueshme. “Ju lutem më thoni se çfarë të bëj. Kujt duhet t’i drejtohem që të dalë e vërteta në dritë të diellit. Ndihem i pambrojtur dhe i diskriminuar”. Ai thotë se i duhet të shkojë në Greqi sepse gjyqi vazhdon në shkallë të tjera, por nëse nuk do të arrijë të paraqitet në gjyq rrezikon dënimin në mungesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›