E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshojnë numrat e telefonave fiks

• Ndryshojnë numrat e telefonave fiks. Duke nisur nga dita e djeshme, çdo numër telefonik i abonentëve të Albtelekomit nis me shifrën 2.

Fabiola Çela

Ky ndryshim bëhet për të gjitha qytetet e vendit. Përveç kësaj, sipas burimeve nga Albtelekom, po dje ka ndryshuar edhe prefiksi i qytetit të Laçit, nga 536 që ka qenë më parë, tani është bërë 53. Burimet nga Albtelekom kanë sqaruar se ndryshimi duke shtuar shifrën 2 në fillim të çdo numri është bërë në kuadër të programit kombëtar të numeracionit. Në këtë mënyrë, Albtelekom do të plotësojë kërkesën gjithnjë e në rritje të qytetarëve për marrjen e numrave fiks.
Privatizimi
Albtelekom është kompania e vetme e telefonisë fikse në vend. Që nga maji i vitit të kaluar, kompania Albtelekom u përket turqve të “Calik Enerji”. Çmimi i shitjes së kësaj kompanie ishte 120 milionë euro. Por edhe pse çmimi prej 120 milionë eurosh nuk ishte pjesë e negociatave, përsëri çmimi i shitjes së kompanisë pësoi rritje. Kjo, pasi turqit pranuan kushtin e vënë nga qeveria shqiptare për të investuar në rrjet të ri interkonjeksioni. Dhe ky investim i kompanisë turke rriti rrjedhimisht edhe çmimin e shitjes së Albtelekomit. Dy kushtet kryesore që mbanin pezull privatizimin e Albtelekomit ishin “Roaming” dhe plotësimi i kushtit për investitorin strategjik. Por pak kohë përpara mbylljes së negociatave, “Turk Telekom” dhe “Calik Enerji” krijuan një shoqëri të përbashkët, ku “Turk Telekom” ka 20 për qind të aksioneve si dhe luan rolin e menaxherit në këtë kompani. Me krijimin e kësaj shoqërie, “Calik Enerji” plotësoi një nga kriteret bazë, atë të investitorit strategjik. Kjo i hapi dritën jeshile privatizimit të kësaj kompanie, duke i dhënë fund kështu kalvarit të privatizimit të kësaj shoqërie, e cila kishte nisur vite më parë. Në fakt privatizimi i kompanisë Albtelekom brenda vitit 2007 ishte edhe një nga premtimet e bëra nga qeveria demokrate. Paratë e arkëtuara nga shitja e kësaj kompanie u futën në buxhetin suplementar të vitit 2007. Me privatizimin e kësaj kompanie, përveç risive që kanë sjellë në tregun e telefonisë fikse pronarët e rinj të Albtelekomit, kanë mundësuar edhe hyrjen në treg e operatorit të tretë celular “Eagle Mobile”. Që nga data 13 mars, operatori “Eagle Mobile” është bërë pjesë e tregut shqiptar të telekomunikacioneve. Aktualisht shërbimet në prefiksin 067 do të ofrohen në zonën Tiranë-Durrës dhe Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Ndërsa në fillim të verës sinjali i këtij operatori do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

ndryshimi i numrave

Tirana 1
04 22XXXXX
Tirana 2
04 23XXXXX
Durrësi
052 2XXXXX

Fieri
034 2XXXXX
Kukësi
024 22XXXX
Laçi
53 22XXXX

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›