E Diel, 1 Nëntor 2026

Pashkët hapin kufijtë me Greqinë

• GJIROKASTER - Kur duhen më pak se një muaj nga festa ortodokse e Pashkëve, në Kakavijë janë ndier lëvizjet e para të emigrantëve që si zakonisht në këtë periudhë zgjedhin vendlindjen për ta kremtuar këtë ditë të shënuar.

Për të përballuar lëvizjet e shtetasve tanë përmes pikave kufitare në jug të vendit, Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjirokastrës së bashku me atë të kufirit dhe migracionit, kanë përpiluar një sërë masash. Në të tri pikat kufitare në Kakavije, Sopik dhe Tri Urat në Përmet, pritet shtimi i efektivave në sportele për t’u krijuar lehtësi emigrantëve. Emigrantët e pa pajisur ende me dokumente vendqëndrimi në shtetin fqinj, u jepet sërish mundësia për të qarkulluar përgjatë një periudhe më tepër se dy mujore. Në qarkoren e mbërritur nga Ministria e Brendshme greke precizohen dokumentet që duhet të disponojë ky kontingjent emigrantësh në hyrje-daljet kufitare. Pasaportë shqiptare me validitet aktual, leje qëndrimi në Greqi që i ka skaduar afati, vërtetim nga policia greke ku tregohet se ky shtetas ka dorëzuar dokumentacionin pranë autoriteteve policore për ripajisje me lejeqëndrimi, janë dokumentet që kërkojnë kontrollorët helenë në të gjitha pikat kufitare jugore përfshirë edhe atë të portit të Sarandës si dhe të Qafë Botës. Kontingjenti i emigrantëve shqiptarë të pa pajisur me dokumente vendqëndrimi ka të drejtën të qarkullojë lirshëm deri më 31 maj.                      p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›