E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë: Transferimet, për momentin i kemi burgjet të mbipopulluara

Halimi i kërkon palës greke avokat dhe përkthyes për proceset ndaj shqiptarëve. Pala shqiptare kërkon mbështetje financiare greke për transferimet

Laureta Rryçi

Tiranë - Ndonëse prej kohësh të dënuarit shqiptarë kërkojnë të transferohen për të vuajtur dënimin në Shqipëri, duket se kërkesat e tyre do të qëndrojnë pezull. Mbipopullimi i burgjeve vendase i ka detyruar zyrtarët tanë të mos u japin përgjigje kërkesave të shqiptarëve të dënuar nga gjykatat greke. Me këtë problem tashmë është njohur dhe pala greke, në vizitën zyrtare të zëvendësministrit Eduard Halimi në Greqi me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë. Në datat 29-30 maj 2008 një delegacion nga Ministria e Drejtësisë, i kryesuar nga zëvendësministri Eduard Halimi dhe shoqëruar nga Fatos Bundo, drejtor i Njësisë së Zbatimit të Projekteve dhe Erton Karagjozi, shef i Sektori në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, kryen një vizitë zyrtare në Athinë dhe realizuan takime me sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë së Greqisë, z. Konstantinos Gletsos, me drejtorët e kësaj ministrie si dhe me përfaqësues të Prokurorisë, z. Goeorgios Pantelis. Gjatë vizitave ishin të pranishëm dhe përfaqësues të Ambasadës sonë në Athinë, si dhe në ditën e dytë të pranishme kanë qenë dhe disa media, përfshirë dhe Televizionin Publik Shqiptar. Kjo vizitë u karakterizua nga një pritje tepër serioze nga pala greke, si dhe një mirëkuptim të plotë gjatë gjithë takimeve.
Reagimet e palëve
Propozimi i paraqitur prej kohësh nga pala greke në Këshillin e Europës lidhur me nënshkrimin e një draft-protokolli të dytë shtesë të Konventës Europiane për transferimin e personave të dënuar, datuar në vitin 1983, e cila presupozonte që shtetasit shqiptarë të dënuar të transferoheshin pa pëlqimin e tyre, u argumentua nga Halimi se nuk është ratifikuar dhe pranuar nga Republika Shqipërisë për shkak se kishte devijime nga qëllimi parësor i Konventës mëmë. Pala greke e mirëpriti diskutimin e palës shqiptare dhe deklaroi se deri në fund të këtij viti ato do të përfundonin tre institucione shtesë dënimi duke zbutur ndjeshëm mbipopullimin e burgjeve të tyre, ndaj dhe kjo çështje do të kërkonte një studim nga ana e tyre. Problemi i mbështetjes së shtetasve shqiptarë që vuajnë dënimin në burgjet greke u nënvizua me forcë nga delegacioni shqiptar sidomos mbështetje tepër e domosdoshme gjatë proceseve gjyqësore në gjykatat greke, bëhet fjalë këtu për sigurimin e një përkthyesi dhe mbrojtës ligjor për ta. Në këtë kuadër Halimi i sugjeroi palës greke që një akses më i madh t’u krijohet strukturave të përfaqësisë sonë diplomatike si me kontakte të drejtpërdrejta me këta të dënuar ose të paraburgosur ashtu dhe me autoritetet greke të drejtësisë. Ky fakt u nënvizua me shumë forcë pasi suporti diplomatik dhe veçanërisht ligjor do t’u gjendej më afër shtetasve shqiptarë dhe do të garantonte respektimin e të drejtave të tyre në procese gjyqësore.
Marrëveshja
Çështja për nënshkrimin e një “Marrëveshjeje shtesë të Konventës Europiane të ekstradimit dhe Konventës Europiane të ndihmës së ndërsjellët gjyqësore në fushën penale, që synon të lehtësojë zbatimin e tyre”. Kjo marrëveshje iu propozua palës greke pasi konventa dypalëshe që rregullon procedurat e ekstradimit ndalon ekstradimin e ndërsjellët të shtetasve të dy vendeve tona. Ky draft i propozuar, një kopje e të cilit iu dorëzua palës greke, do të angazhojë palët për ekstradimin e ndërsjellë të shtetasve të tyre.

Box

Temat që u diskutuan
1. Çështja e transferimit të personave të dënuar, shtetas shqiptarë, nga Republika e Greqisë në Republikën e Shqipërisë.
Ne takim me sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë pala shqiptare i shprehu palës greke angazhimin e qeverisë së Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë ndërmjet dy vendeve tona.
Në këtë kuadër u nënvizua:
• Vullneti i qeverisë shqiptare për zbatimin e konventës dypalëshe për transferimin e të dënuarve të burgosur firmosur në vitin 1993.
• Zbatimi i planeve të miratuara nga qeveria shqiptare dhe BE për strategjinë e hartuar në lidhje me sistemin penitenciar në Shqipëri.
• Angazhimi i qeverisë shqiptare për zhbllokimin e situatës së transferimit të shtetasve shqiptarë, që kanë paraqitur një kërkesë të tillë, i cili mbetet maksimal pavarësisht nga pamundësia e transferimit të tyre për shkak të situatës tepër të
mbipopulluar në sistemin tonë penitenciar.
• Kërkesa për suport financiar, si një çështje që prek të dy qeveritë, në ndërtimin e strukturave të dënimit në Shqipëri me qëllim zbutjen e mbipopullimit në burgjet
shqiptare.

Takim me të burgosurit shqiptarë në Greqi

Një takim i veçantë gjatë këtij misioni u organizua dhe në Burgun “Koridhalos” të Athinës me të dënuar shqiptarë, nga të cilët u kërkua të dëgjonim problemet që pretendonin në lidhje me trajtimin e tyre në paraburgim dhe burgje si dhe gjatë
proceseve gjyqësore. Halimi, në emër të qeverisë shqiptare, u garantoi atyre një suport maksimal prej përfaqësisë sonë diplomatike në Athinë, si dhe u kërkoi atyre që të mos nguronin për të paraqitur shqetësimet e tyre pranë Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri.

Takimi me prokurorin

Halimi, në takim me prokurorin e Përgjithshëm të Athinës, parashtroi çështjet që diskutuam me Ministrinë e Drejtësisë të Greqisë, kryesisht çështja “Cenaj” dhe “Vavilis” (skemat piramidale) dhe u pranua krijimi i grupeve të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve. Në këtë takim u mirëprit dhe u vlerësua maksimalisht draft-marrëveshja që Shqipëria ka firmosur me Italinë dhe së shpejti Prokurori pritet të paraqesë ndonjë koment dhe në të njëjtën kohë shprehu gatishmërinë për firmosen e kësaj marrëveshjeje.

4 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›