Interpol Tirana ekstradon dy shtetas nga Italia
Tiranë - Zyra Qendrore e Interpol Tiranës kreu dje ekstradimin nga Italia të Juraldo Didës dhe Dhimitër Xhallo. Dida është deklaruar fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, e cila me vendim nr. 34, datë 09.03.2006, e ka dënuar atë me 3 vjet burgim për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje”. Ndërsa Gjykata e Apelit Shkodër, me vendim nr. 5, datë 16. 01. 2007, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Sipas vendimit të gjykatës, shtetasi Juraldo DIDA, me datë 28 maj 2004, rreth orës 14:00, në një rrugicë të fshatit Pllan, ka goditur në qafë me mjet prerës shtetasin E. D., i cili sapo kishte dalë nga shtëpia e tij. Shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë një grindje e mëparshme midis të dy shtetasve. Ndërkohë që Dhimitri Xhallo është deklaruar fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, e cila me vendimin nr. 99, datë 11 tetor 2001, e ka dënuar atë me 13 vjet burgim për veprën penale të “Rrëmbim personi në bashkëpunim”. Sipas vendimit të gjykatës, më datën 22 qershor 1997, rreth orës 08:00, shtetasi Dhimitri Xhallo, në bashkëpunim me shtetasit Besnik Bakiaj, Shpëtim Beqaraj dhe Adriatik Kasaj, kanë rrëmbyer për qëllime përfitimi Kseno Mema. Ata e kanë rrëmbyer viktimën në periferi të Gjirokastrës, dhe më pas e kanë çuar në qytetin e Përmetit, ku dhe e kanë mbajtur 10 ditë, derisa më pas kanë përfituar shumën prej 25 milionë dhrahmi greke. Lokalizimi dhe arrestimi i këtyre personave dhe vënia përballë drejtësisë për veprat e kryera u realizua pas bashkëpunimit të Interpol -Tirana me Interpol Romën.
4 Qershor 2008