Greqia dhe Shqipëria, grupe ekspertësh për pasuritë e piramidave
Çështja e ekstradimit të shtetasit shqiptar, Lefter Cenaj, dorëzimi i të cilit është kërkuar nga qeveria shqiptare që të shoqërohet edhe me vlerat monetare, asetet e konsideruara si produkte krimi dhe të sekuestruara nga shteti grek. Me vëmendje maksimale nga Halimi u nënvizua dhe argumentua se këto produkte krimi nuk i takojnë as qeverisë shqiptare dhe as asaj greke, por thjesht kreditorëve, shtetas shqiptarë, viktima të mashtrimit në formën e skemave piramidale. Gjatë diskutimit të delegacionit tonë u mor parasysh i gjithë dokumentacioni ligjor i detyrueshëm si: neni 49 i Konventës dypalëshe; neni 20 i Konventës Europiane të Ekstradimit; Konventa Europiane për pastrimin, depistimin, kapjen dhe konfiskimin e produkteve të krimit. Pala greke konfirmoi se çështja e dorëzimit të shtetasit Lefter Cenaj, është miratuar nga Ministria e Drejtësisë, por ende është në proces në Gjykatën e Lartë të Athinës, pasi subjekti ka paraqitur ankimin për Dekretin e Ministrisë së Drejtësisë për miratimin e ekstradimit. Në lidhje me shumat e konfiskuara shtetasit shqiptar Lefter Cenaj, Konstantinos Gletsos, sekretar i Përgjithshëm, kërkoi nga stafi i tij një informacion më të detajuar dhe sugjeroi që ky problem të diskutohej dhe me Prokurorin e Athinës. Përsa i përket kësaj çështjeje u ra dakord që një grup i përbashkët ekspertësh të fillojnë punën për gjetjen e modaliteteve dhe zgjidhjen ligjore sipas akteve ndërkombëtare ne fuqi dhe legjislacioneve tona ne fuqi. Gjithashtu përveç çështjes “Cenaj” me të njëjtën frymë u diskutua çështja “Vavilis” dhe për këtë u ra dakord që një kërkesë e palës shqiptare drejtuar autoriteteve greke do të jetë nxitje për dhënien e një informacioni të detajuar palës shqiptare mbi ecurinë e procesit gjyqësor, të shumave të konfiskuara dhe krijimit të një grupi të përbashkët për hetime të mëtejshme.
4 Qershor 2008