Prokuroria dërgon për gjykim dosjen e Dan Hutrës
TIRANË - Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Tiranës dosjen në ngarkim të 25-vjeçarit Dan Hutra, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij 22-vjeçare Dafina Havala. Dosja i është nënshtruar shortit dhe i ka rënë për gjykim gjyqtares Fatmira Hajdari. Burime nga gjykata bëjnë me dije se, pritet që së shpejti të nisë seanca e parë gjyqësore ndaj Hutrës, i cili pretendon që krimin e ka kryer në tronditje të thellë psikike dhe jo me paramendim. Krimi i rëndë në familje ndodhi me 10 dhjetor të vitit 2007 në Tiranë dhe u mësua një ditë më vonë. “Shkoni në shtëpi dhe merrni trupin e vajzës, pasi e kam vrarë”, ka qenë dialogu i shkurtër, që 25-vjeçari Dan Hutra ka bërë me nënën e 22-vjeçares, e cila u gjet e larë në gjak mbi krevatin bashkëshortor. Në dorë mbante një thikë, që ia kishte vendosur bashkëshorti i dyshuar për këtë krim brenda familjes për motive pasioni, kurse në trup kishte dy plagë. Policia arrestoi pak ditë më pas emigrantin me dokumente të rregullta në Greqi, Dan Hutra, njëkohësisht burri i viktimës.
4 Qershor 2008