E Diel, 1 Nëntor 2026

“Furnizuesi Publik”, enti që do të shpërndajë energjinë te konsumatori



Privatizimi i afërt i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike, me të drejtë do të ngrejë shqetësimin kryesor për konsumatorin shqiptar se çfarë do të bëhet me çmimin e energjisë. Sa do të shtrenjtohet akoma ai? Si do të kryhen pagesat dhe si do të bëhet faturimi i energjisë?. Për këto gjëra duket se ka menduar qeveria, e cila pas privatizimit të këtij sektori strategjik, është përpjekur që të mos ndodhë e njëjta përvojë si ajo me kompanitë celulare në vend. Kështu, kompania private që do të blejë OSSH-në, nuk do të jetë furnizuesja direkte me energji për konsumatorët shqiptarë. Qeveria ka vendosur që sigurimin e energjisë ta kryejë nëpërmjet një enti të ri shtetëror, që do të quhet “Furnizuesi Publik”. Ky model nuk e lë gjithë riskun dhe përgjegjësinë e furnizimit me energji tek privati, por shërben edhe si një masë që lidhet direkt me mbrojtjen e konsumatorit, në një kohë kur tregu rajonal i energjisë pëson lëkundje të mëdha në çmimet e shitjes. Që nga janari i vitit 2007, OSSH operon e ndarë nga KESH-i dhe pas ndarjes së aseteve, aspekteve financiare, ai ka marrëveshjet e bashkëpunimit me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST), si dhe me Korporatën. Aktualisht OSSH-ë ka 1 milionë konsumatorë të energjisë elektrike nga të cilët: 878.000 janë familjarë, 112.000 janë biznese, 7.000 në sektorin buxhetor dhe jo buxhetor. Në zonat urbane janë 550 mijë konsumatorë, ndërsa 450 mijë të tjerë janë në zonat rurale. Grupi kryesor konsumator mbeten familjarët, me 2.078 GW/h energji të faturuar, biznesi me 1.135 GW/h, institucionet publike me 128 GW/h, sektori jo buxhetor me 239 GW/h. Në zonat urbane, konsumi i energjisë elektrike llogaritet në 2.577 GW/h, ndërsa në zonat rurale, gati 505 më pak, ose vetëm 1.002 GW/h.

4 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›