Bojaxhiu bie nga kati i 8, kishte pirë alkool
25/05/2005 TIRANË- Pas dipiove të njëpasnjëshme të rakisë, një bojaxhi nga Tirana humb jetën, pasi bie nga kati i tetë i një pallati. Sipas burimeve të Komisariatit numër 2 në Tiranë, ka vdekur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në kryeqytet 38-vjeçari Agron Tafa. Tafa, sipas burimeve policore, ra nga kati i tetë i një pallati, afër bankës “Pro Credit” te Tirana e Re, aty ku ai punonte si bojaxhi prej disa ditësh. Tafa ishte duke lyer pallatin nga jashtë kur i ka rrëshqitur këmba dhe ra nga skela, ç’ka ka sjellë vdekjen e menjëhershme të tij. Në vendngjarje shokët e tij të punës u mblodhën menjëherë, por Tafa kishte ndërruar jetë që në mometin e parë të përplasjes me tokën, si shkak i lartësisë së madhe ku ai qëndronte. Ndërkaq, burimet nga morgu i Tiranës thanë se, tashmë po ekzaminohet kufoma e Tafës, ndërsa nga vëzhgimet paraprake është vënë re konsumimi i pijeve alkoolike, por nuk mund të përcaktohet kaq shpejt sasia. Nga ana tjetër, një koleg i tij i punës, tha dje për gazetën "Metropol" se ata kishin pirë raki që herët në mëngjes. "Ne kishim ardhur të parët në punë. Pamë që aty nuk kishte njeri dhe shkuam për të pirë ca gota. Mbaruam punë në lokal dhe u kthyem në punë", tha kolegu i Tafës, që nuk pranoi të identifikohej. Mësohet se në momentin e rënies nga skela, bojaxhiu kishte qenë disa centimetra nga distanca e lejuar. Kjo vdekje e ka çuar numrin e aksidenteve të rënda në punë në 6 nga fillimi i këtij viti. Ndërsa viti i kaluar numëroi mbi 10 punëtorë të vdekur, ku shumica e të cilëve ndërruan jetë nga kushtet e papërshtashme të punës, ndërsa policia e proruroria nuk ka nisur asnjë procedim penal për përgjegjësit.