E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tefik Osmani, kalon te “Koniaspori”

26/05/2005  Mbrojtësi i Elbasanit, ka rënë parimisht dakord me klubin turk, por firma pritet të vijë në ditët e ardhshme. Abandonoi kampionatin shqiptar, për arsye të një oferte më të majme financiare

Korçari Tefik Osmani, mbrojtësi i kombëtares shqiptare, një prej zbulimeve të suksesshëm të Brigelit, do t’i thotë lamtumirë kampionatit shqiptar. Futbollisti, që ka mbyllur kampionatin me ekipin e Elbasanit, pas shumë ofertash të ardhura në drejtim të tij, për të ardhmen ka vendosur të luajë në kampionatin e Turqisë, me ekipin e “Koniasporit”. Është ekipi, që në përfundim u rendit në gjashtë ekipet më të mira në Turqi. “Po, është e vërtetë”, thotë Osmani për gazetën ‘Metropol Sport’, se do të luaj për ekipin ‘Koniasport’. Një vendim të tillë e kam marrë në orët e vona të ditës së djeshme. Kam pasur ofrerta nga shumë ekipe, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, por në të gjitha nuk kam pasur ndonjë shumë konkrete për pagesë. Pasi i kam studiuar gjatë kësaj periudhe ofertat e marra, vendosa të luaj pikërisht në Turqi. Kontakti i manaxherit tim me drejtuesit e lartë të këtij klubi, kanë qenë i suksesshëm për kalimin në radhët e këtij ekipi, dhe tashmë edhe është materializuar. Por, shumën do ta bëj publike më vonë”. Duke zbuluar disa anë të këtij transferimi, Osmani nguron të bëjë të ditur shumën, por konfirmon që do të nënshkruajë një kontratë 2-vjeçare me këtë ekip. Mbrojtësi i Elbasanit është shqiptari i vetëm për momentin, që do militojë në radhët e kësaj skuadre. Megjithëse, nuk ka firmosur akoma, kalimi është plotësisht i realizuar, ndërkohë që firma e “zezë mbi të bardhë” në kontratë, pritet të vijë shumë shpejt. “Nuk kam firmosur ende me klubin”, vazhdon Osmani. “Por kalimi tashmë eshtë më se i vërtetë dhe do të realizohet në mesin e muajit qershor, kohë kur unë do të udhëtoj drejt Turqisë. Kam firmosur paraprakisht me menaxherin tim një kontratë në parim dhe ai parimisht ka rënë dakord me drejtuesit e ‘Koniasport’. Është një eksperiencë e re dhe them me bindje, se do të përfitoj shumë në aspektin sportiv. Kam një njohje jo shumë të madhe për skuadrën time të ardhshme, por nga ajo që kam mundur të shikoj nëpërmjet kasetave, them se është një ekip i mirë dhe do të jetë tepër ambicioz në vazhdim”. Duket se kështu është vendosur edhe e ardhmja e Osmanit, në lidhje me skuadrën, ku do të luajë për sezonin 2005-2006. Osmani ka qenë në qendër të vëmendjes edhe të disa ekipet të kampionatit shqiptar, të cilët synonin ta kishin në gjirin e tyre. Forma e mirë e tij dhe perspektiva e një futbollisti talentuar 20-vjeçar, i cili po ngjit suksesshëm shkallët e karrierës sportive, është shndërruar në pak kohë objekt dëshirash në merkaton verës. “E kam të qartë që do të më mungojë sportdashësi shqiptar. Kudo ku unë kam luajtur, kam bërë shumë miq, por mendoj dhe shpresoj që të jem vazhdimisht në shërbim të ekipit tim kombëtar”, përfundon Osmani. Tashmë, Osmani është i përqëndruar në takimet ndërkombëtare të përfaqësueses kuqezi, miqësoren me Poloninë dhe dy ndeshjet për eliminatoret e Botërorit 2006 në grupin 2, kundër Gjeorgjisë më 4 qershor dhe Danimarkës më 8 qershor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›