E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hyn fshehur pas makinës diplomatike në ambasadën amerikane

26/05/2005  TIRANË- "Dua azil politik, më lini të kaloj". Këto ishin fjalitë që forcat e sigurisë pranë ambasadës amerikane dëgjonin çdo ditë nga Vladimir Prendi, 56 vjeç, i cili dy ditë më parë iu fsheh punonjësve prapa një makine dhe arriti të depërtonte në oborrin e kësaj ambasade. Dyshohet paraprakisht se, Prendi është me të meta mendore, gjë e cila do të vërtetohet në ditët në vijim, pasi për të është marrë masa e arrestit. Në ambientet e brendshme të kësaj ambasade, disa punonjës e kanë parë teksa tentoi të hynte deri afër portës së funksionarëve dhe menjëherë e kanë neutralizuar, duke i zënë krahët. Prendi, lindur në fshatin Bicaj të Pukës e banues në Tiranë, ishte fshehur pas një makine me targa diplomatike dhe mundi të hynte bashkë me të në oborrin e ambasadës. Askush nga punonjësit nuk mundi të vinte re depërtimin e tij në brendësi të oborrit. Menjëherë u lajmëruan forcat e sigurisë të postbllokut e të ambienteve të brendshme, të cilat e dorëzuan menjëherë tek efektivët e Policisë së Rendit të Komisariatit numër 1 në Tiranë. Më pas, ai u mor në qelitë e paraburgimit të këtij komisariati dhe pas një seance të gjatë pyetjesh rezultoi se ai ishte një i sëmurë mendor dhe nuk kishte asnjë arsye për të kërkuar azil politik. Për të u mor masa e arrestit në akuzën e "kalimit të paligjshëm të kufirit". Të ndodhur në këto kushte, ekspertët e këtij komisariati kanë bashkëpunuar me Prokurorinë dhe mjekët për të përcaktuar gjendjen psikike të të arrestuarit. Aktualisht, ai do të mbahet ende i izoluar në qelitë e paraburgimit, e më pas do të vendoset nëse ai të do të dërgohet për gjykim apo te spitali i psikiatrisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›