“Bojës” i ka dalë boja
Nga Zamir Gjurgji
Depozitimi i vonuar i listës së 140 petritëve të supozuar të E. Ramës në KQZ-në e mirëbalancuar, tregon se “udhëheqësi artistik” i opozitës ylberiste e ka vlerësuar si më frytdhënëse qëndrimin në pozicionin e “suflerit”, sesa në dirigjimin e trupës së tij, nën rrezet e nxehta të qershorit. Për më tepër, vizat “Shengen” që ofroi z. Rama për një masë të gjerë të pretendent-deputetëve, të cilët nuk e kanë ndjerë apo provuar qoftë edhe një ditë të vetme politikën partiake, mund të shërbejnë për të kuptuar se kreu i partisë së bashkisë ka liberalizuar regjimin e vizave për në Parlamentin shqiptar, vetëm për ata individë që shenjat e gishtave i kanë vënë “në pajisjen elektronike” të beton-korrupsionit, dhe prej së cilës nuk mund të dalin kur t’ua dojë kokrra e qejfit. Por gjithsesi, kjo është një zgjidhje e politikës së “të rinjve” të partisë me zërin më të vjetruar në vend (“Zërin e Popullit”), ndërsa ajo që na intereson të gjithëve - sidomos në statusin e qytetarit të Shqipërisë pragevropiane - është diçka më e rëndësishme, diçka më kardinale. Tashmë, mund të thuhet me plot gojë se opozita ylberiste (kryesorja) është e zënë peng. Por, nëse deri më tash opozitat janë marrë peng nga politikat e mbrapshta të kundërshtarëve politikë (kujtojmë politikat e ish-Kryeministrit Nano, kur emëronte opozitën konstruktive dhe delegjitimonte “opozitën destruktive”, kujtojmë politikat e ish-Kryeministrit Meta që liderin e opozitës, nënlideren e opozitës dhe zëdhënësin e saj, i rraste pas hekurave të kryqëzuar të komisariateve të policisë), kësaj radhe opozitës i është zënë koka me derë nga vetë kreu i saj. Çka përbën një rast pa precedent në historinë e pluralizmit politik dydekadësh, në raportet pozitë-opozitë. Një rast ky që nuk duhet kaluar anashkaluar, por që duhet shtjelluar (qoftë edhe intuitivisht) për t’u rrekur të kuptojmë se ku “fle lepuri”.
Nëse do të kalojmë në retrospektivë, të evidentojmë e më pas të analizojmë hap pas hapi qëndrimet politike të kreut të ylberistëve - sidomos qëndrimin e tij prej ekuilibristi, sa në majën e bashkisë, sa në majën e selisë rozë, e sa në majën e targetuar të Kryeministrisë - edhe një logjikë e thjeshtë nuk do ta pranonte dot faktin se një “vasilikë” do të ishte zgjidhja fituese.
Ajo që më shumë se kurrë kreu i partisë së bashkisë ka artikuluar në gjysmën e parë të këtij viti, është kriza e zgjedhjeve, që herë merr formën dhe përmasën e kartës drejtkëndore të kartës së identitetit, herë merr formën dhe përmasën e orës së Bushit, dhe herë të tjera merr fizionominë e kreut të vegjëlisë që falet për të skamurit, që kërkon falje për nënë... për të dalë para kohe nga burgu, që kërkon karta falas për “të vobektit”, që kërkon naftë falas për fermerët dhe libra falas për 6-7-vjeçarët. Për më tepër, që i falet edhe Meidanit, vetëm e vetëm që “kambana e paqes së fishekëve” të kumbojë me ritmin e “revolucionit të llaç-betonit”, me ritmin e tupanëve të baballarëve të Ditmirit, Ilirëve, Dashnorit, Skënderëve, Maklenit apo Ardianit, në fillimet e zgjedhjeve “demokratike” të 11 janarit 1945, e më tej.
Nëse do të hedhim vështrimin pas, gjithnjë do të gjejmë pika simetrike në planet e majtistëve. Sidomos kur janë në disavantazh të ndjerë e të provuar. Atëherë duhet bërë më kujdes se kurrë. Pasi bisha e plagosur, ajo e kuqërremta, e ruan goditjen e fundit dhe vdekjeprurëse, atëherë kur duket se e ke mposhtur.
Rast më flagrant sesa situata zgjedhore e vitit 1996 nuk besoj se mund të gjendet. Kur të gjitha gjasat flisnin për fitoren e mazhorancës aktuale, ndodhi provokimi diabolik i opozitës, që asohere kryesohej nga Rexhepët e Kastriotët. Majtistët bënë tërheqjen e minutës së fundit, duke provokuar mbimbushjen normale të kutive të votimit, çka solli revolucionin e radhës me parullat e gatshme treçerekshekullore si “thyerje kafkash, “djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje ja liri”, “selam musatë e ‘97-ës”. Për rrjedhojë, pasuan demonstratat për përsëritjen mbi 40 zonale të zgjedhjeve, protestat dhe plagët e kuqe me bojë zmalti në sheshin “Skënderbej”, duke e kthyer humbjen reale elektorale, në përfitim pushteti në më pak se një vit pas. Dhe këto ngjarja nuk i dinë vetëm shqiptarët, por sidomos i di mirë zonja Glover dhe mbikëqyrësit e saj.
Por, nëse në rastin e parë mazhoranca u gjet e papërgatitur nga një skenar që ishte gatuar jo vetëm nga duar shqiptarësh, kësaj radhe mazhoranca nuk mund dhe nuk duhet t’ia lejojë vetes të bjerë dy herë në të njëjtën gropë. Dy herë në të njëjtin plan. Dy herë e ndëshkuar “nga boja smalto”.
Opozita me të vërtetë është e paaftë të fitojë betejën e 28 qershorit, por duket se është e gatshme të fitojë luftën e pas kësaj date. E kur bëhet fjalë për luftë të pashpirt, majtistëve nuk ua ha qeni shkopin. Ata e kanë treguar se dinë mirë ta luajnë gishtin, të lyejnë gishtat, të ngjyejnë fytyrën, vetëm e vetëm që të luajnë “viktimën”, e më pas të rimarrin pushtetin e humbur, për të shtuar numrin e viktimave reale edhe me sëpata pas koke.
E pra, Ramës dhe ylberistëve nuk i ka mbetur kartë tjetër për luajtur, veçse ajo e kontestimit të zgjedhjeve, e rezultatit, e deformimit të supozuar të vullnetit të vegjëlisë. Pastaj, ata e dinë vetë. E kanë ditur gjithmonë formullën, për rromullën. Nuk e kanë harruar, dhe janë të gatshëm për ta rivënë në skenë. Por, druaj e besoj se kësaj radhe është fundi. Fundi jo vetëm i skenaristëve, por edhe i skemave të përdorura ndër vite: në qershor ’24, nëntor ’44, qershor ’96, pse jo edhe tentativa në qershor 2007.
Kësaj radhe edhe zonja Glover e di mirë se ç’mund të rindodhë. Prandaj gjykoj se është edhe personi më adapt për t’i dhënë “abort” komandës “copy-paste”... edhe pse kreu i ylberistëve tiranas, znj. Vasilika Hysi, është thirrur “nën armë” si një eksperte e rrahur me vaj e uthull për të kontestuar vullnetet “e deformuara”, për t’i dhënë krah të drejtave pa kufi dhe mbinjerëzore të majtistëve të radhës, atje nga kulla e fildishtë e “Helsinkit” shqiptar, prej nga sapo ka zbritur...