E Shtunë, 31 Tetor 2026

A po votojnë partinë e tyre?



Nga Sami Neza

Dalja publike e Fatos Nanos dhe deklarata e tij për Edi Ramën, PS dhe G99 kanë ndryshuar ritmin e fushatës elektorale të së majtës në përgjithësi, por veçmas të socialistëve të Ramës. Gjithçka ai tha përgjatë një interviste në një prej emisioneve politike të TV Klan ishin inhibitorë për entuziazmin e socialistëve dhe paralajmëruan një ndarje të re të PS-së, ndarje të cilën jo se nuk është parashikuar nga Edi Rama dhe për të cilën ai ka punuar prej të paktën tri vitesh, por se një ndarje të tillë nuk e kishin kuptuar socialistët e thjeshtë.

Këta të fundit e kishin pranuar Edi Ramën si “pasardhësin”, ashtu si kishte ndodhur me etërit e tyre, që pranuan Ramiz Alinë, ose me vëllezërit e mëdhenj që pranuan Fatos Nanon në vend të Ramiz Alisë. Ishte e qartë se zëvendësimi nuk ishte aq hijerëndë dhe dominues në jetën e tyre sa ata të mëparshmit, por zakoni i “pranimit” ndërtuar tashmë mes socialistësh nuk u prish.

Por nuk kishin mësuar se ardhja e Edi Ramës nuk ishte një përsëritje skenografie e ardhjeve të mëhershme, por diçka tjetër që do të ngrihej me lëndë të parë, egoizmin, klientelën dhe përkushtimin ndaj disa veseve kapitaliste, siç është pasurimi dhe “puna në grup”. Socialistët janë mësuar të jenë të thjeshtë në bazë e të ndërlikuar në udhëheqje. Në disa raste janë vënë në provë zgjedhjesh brenda tyre dhe gjithnjë kanë zgjedhur PS-në.

Vetëm Fatos Nano i ka vënë në dilemë. Dhe dilema është jo e zakonshme si të parat. Është vetë Fatos Nano që thotë se nuk ka zgjedhur PS dhe se Edi Rama është njëfarë ideje që qarkullon në PS dhe se modeli i tij është shkërmoqja e saj, rimarrja e kredibilitetit dhe bazës së kësaj partie, për ta ngjizur në një koncept tjetër politik, përtej së majtës e së djathtës, tipike për partitë e reja që synojnë elektorat kudo që mund të gjejnë, pavarësisht përcaktimit ideologjik.

Në fakt Fatos Nano tha edhe plot gjëra të tjera, disa prej të cilave synonin transferimin e disa votave të PS-së për tek LSI-ja e disa të tjera për largimin e votave për G99, qoftë edhe sikur këto të shkonin te PS.

Rrethet afër Edi Ramës, disa miq të tij jopolitikë dhe politikë, qarqet që bëjnë opinion në Tiranë e herë pas here janë joshur prej Ramës dhe kanë aksionet e tyre në modelet e tij të qeverisjes lokale apo politike, klube që duan herë të shëmbëllejnë me Ramën, e herë me ndonjë tjetër ngjyrë politikë, varësisht prej halleve, janë shqetësuar nga deklaratat e Fatos Nanos.

Të gjithë e shprehin shqetësimin e tyre jashtëzakonisht të madh me shprehjen se Fatos Nano nuk ka dëmtuar Edi Ramën. Në të vërtetë Fatos Nano nuk e ka dëmtuar Edi Ramën, pasi nuk ka asnjë mundësi ta bëjë këtë nga pikëpamja e strukturës që ai tashmë ka ngjitur në PS.

Kjo parti aktualisht është sipas përfytyrimit të kryetarit të bashkisë dhe deklaratat e Nanos nuk mund të krijojnë shumë tensione brenda këtyre strukturave, të cilat nuk kanë ndonjë lidhje të qëndrueshme me vullnetet pozitive apo negative të Fatos Nanos. Rama e komandon PS edhe në kryesinë e saj, edhe në asamble, edhe në degët lokale.

Ajo çfarë ka bërë Fatos Nano me daljen e tij është dilema që ka ngjitur tek socialistët që votojnë. Dilemë që vjen prej zonave të sigurta të socialistëve të sigurtë, indikatorë këta që tejkalojnë kryetarin socialist dhe ia dërmojnë atë që ai ka dashur duke dërmuar PS-në, marrjen lehtë të siglës dhe fitoren e zgjedhjeve, duke ngjizur atë shprehjen që buçet në korridoret para dy zyrave të Ramës, se partia na duhet vetëm për qeverinë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›