E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi i antivlerave në modelin Big Brother

Nga Doan DANI
Në vazhdën e imitimit majmunit, të çdo produkti perëndimor, i mediave elektronike, nuk mund të kurseheshim nga depërtimi i emisioneve trash. Kanë vite që eksperimentohen në perëndim dhe asnjeri nuk i jep dot përgjigje pyetjes se çfarë mesazhi përfitojmë nga kjo kohë që ne shpenzojmë përpara televizionit duke u kënaqur, habitur, neveritur me kopshtin zoologjik të kafshëve - njeri që popullojnë savanat televizive. I riu që pretendon të arrijë pasurinë nëpërmjet famës dhe famën nëpërmjet syrgjynosjes në një shtëpi, duke pasqyruar shëmtinë e falsitetit të shoqëruar me të gjitha veset, është bartës i një lloj parazitizmi imoral. Shikojmë një film, program dhe çfarëdolloj tjetër produkti mediatik, të nxitur nga vlerat që ai përçon apo thjeshtë nga doza e emotivitetit, siç janë (në ekstrem) filmat horror si përçues të frikës, emocioni më i fortë njerëzor. Në programe si Big Brother, përvëç majmunërizmit, një proces që na parashtrohet si virtyt, nuk transmetohet asnjë vlerë dhe asnjë emocion: entertainment i nëkuptuar si saldim i njerëzve përpara ekranit me rrezikshmëri të provuar indoktrinimi ose të paktën vetëm përcaktimi (të mesazhit që serviret) si një model për jetën. A mund të jetojë shoqëria shqiptare në këtë mënyrë/model?!
Big Brother janë ideuar për të treguar jetën normale të një grupi personash, por qëllimi ka falimentuar, sepse kur  një sërë njerëzish jetojnë të mbyllur në një hapësirë të ngushtë pa libra, gazeta, informacion, duke bëre një "hiç" gjithë ditën, atë çfarë do të dëshmojnë nuk do të jetë normaliteti por patologjia e tyre pohon Umberto Galimberti. Ky është spektakël i "çmendurisë" dhe jo normalitetit, e kjo vërehet tek ulërimat, çirrjet, sharjet, ofendimet, komplotet, tradhtitë, lakuriqësia, injoranca, indiferenca ndaj ambientit rrethues, arroganca, cinizmi, mendjemadhësia. Mesazhi që i transmetohet të rinjve është : ne ekzistojmë vetëm kur dukemi publikisht dhe vetëm kur shfaqim publikisht pasurinë tonë të brendshme. Në këtë mënyrë ngatërrohet identiteti personal me publicitetin e imazhit të individit. Një filozof pohonte "Mos dil jashtë vetes por kthehu tek vetvetja. E vërteta banon në njeriun e brendshëm, e nëse do të zbulosh që natyra është e ndryshueshme tejkalo edhe veten". Kjo duhet kuptuar se brendshmëria e njeriut është e shenjtë dhe shenjtëria e saj cënohet kur ajo ekspozohet.
Dinamizmi më i fuqishëm i emisionit përfaqësohet nga ky ekspozim i jetës personale dhe njerëzit që fiksohen përballë ekranit për të vëzhguar këtë eveniment. Pra në këtë mënyrë telespektatori shndërrohet në një "sy" që ka aftësinë, në këtë rast të ofruar pa e kërkuar, të shikojë intimitetin. Njeriu që imiton Hyjninë, është tentativë prehistorike: modeli fetar dëshmon si Perëndia i ka kursyer Vetes këtë aftësi të vëzhgimit të zemrës, mendjes, pra brendshmërisë, dhe si njeriu që me krijimin kërkon t'i afrohet Atij duke tejkaluar kufijtë e pamundësisë. Modeli Big Brother i afron spektatorit mirazhin e huazimit të Fuqisë Supreme, gurin e Alkimisë. Por a është i drejtë vëzhgimi jashtë çdo kufiri? Nëse jemi pakthyeshmërisht të ekspozuar nga shikimi i të tjerëve, jemi pakthyeshmërisht të objektivizuar - thotë Sartri. Kjo nënkupton që intimiteti ynë kthehet në mall, materializohet. Konkurrentët servirin vetveten duke tejkaluar normat morale, duke shkatërruar kështjellën e turpit për hir të famës dhe pasurisë që derivon nga ajo. Turpi dhe rezervimi i intimitetit, na bëjnë më të fortë përballë të tjerëve, mendon Sartri. Ekspozimi i tyre, në të kundërt, na bën të prekshëm dhe të thyeshëm. Paturpësia e kuptuar si shembje a atyre mureve që ndajnë të brendshmen nga e jashtmja, pjesën rezervuar, individuale, intime, nga ekspozimi, është e kundërta e asaj që Scheler e shpjegon me Turpin [cipësinë, fytyrën]: mbrojtjen e thellësisë nga sfera publike. Nëse quajmë intime atë që i mohohet të huajit të panjohur, ne mbrojmë lirinë tonë. Turpi nuk duhet kufizuar tek veshja, as tek sjellja e jonë në përgjithësi, por në një kontekst sa të gjerë aq edhe specifik: tek ruajtja, e cila vendos shkallën a hapjes dhe mbylljes ndaj të jashtmes. Të ekspozuar ndaj të huajës, siç pohonte Sartri, nëpërmjet turpit, cipësisë dhe asaj që në gjuhën tonë quhet jo pa qëllim fytyrë, arrijmë të mbrojmë subjektivizmin tonë nga objektivizmi (gjykimi) i të tjerëve. Në kah të kundërt lundron Paturpësia që shkatërron këtë rojtar nëpërmjet publicizimit të sferës private, pasi në një shoqëri konsumiste nëse nuk i bën reklamë mallit, ai është i destinuar të mbesë stok. Malli, në rastin e Big Brother, është intimiteti i shitur për konsum masiv.
Realiteti i ynë karakterizohet nga një traditë thashethemesh që vjen pikërisht nga dëshira e  njerëzve për të njohur fakte, eksperienca dhe intimitete të ambientit rrethues social, për të qenë më të fortë kur të përballen me akuza të ndërsjella. Marrja e informacionit është një armë, jo vetëm në nivel vulgar, por edhe profesionist gjeopolitik, pa komentuar këtu mënyrat të cilat shpesh janë të paligjshme ose të pamoralshme. Klientët e shtëpisë zoologjike të Big Brother e zhveshin vetveten nga çdo barrierë duke u vetëofruar si kavie, objekt i gjykueshëm (objektivizim) nga syri i masës. Nga ana tjetër, teleshikuesit i mungojnë justifikimet për të ndjekur informacione të tilla sepse (pjesëtarët e shtëpisë së Big Brother) nuk janë njerëz me të cilët mund të përballet, për rrjedhojë nuk duhet të mbrohet nga ato, por nuk i mungon shtysa, në disa momente sadiste, për të thithur këto informacione edhe pse të pavlefshme, për motivin e thjeshtë të kureshtjes. Kur kjo idealizohet mjafton që secili të vendosë vetveten në një pozitë të atillë ku nuk ka më kufij mes personit dhe botës rrethuese, ku ti spiunohesh, vëzhgohesh 24 orë në 24, për të kuptuar absurditetin  e të qenurit përballë telekamerave në këtë shtëpi, idealizimit të këtij modeli. Në rastin e Big Brother praktika e thashethemeve istrumentalizohet, ngrihet në piedestal, zyrtarizohet duke i dhënë mundësi spektatorit të spiunojë brendshmërinë që tek shtëpia zoologjike, serviret pa patur nevojë të kërkohet. Brendshmëri e servirur, falsitet dhe parazitizëm janë tre modele që transmeton Big Brother në moton ne nuk bëjmë asgjë, jemi vetvetja dhe për këtë vlerësohemi. Hiçi na hiqet për vlerë! Tani le të më thonë ato që kanë dëshirë integrimin, në stilin majmunist, a janë të gatshëm të shesin vetveten për hir të famës që shpie tek pasuria?!
Modeli që shpie në famë dhe kjo famë që sjell pasuri me shitjen e brendshmërisë, duke shfaqur disa sjellje të pakonceptueshme për shumicën e masës shqiptare, mund të themi se nuk ka vlera, pasi nuk ka informacion, nuk ka njohuri, nuk ka njerëz që sfidojnë jetën me inteligjencë, kulturë dhe edukatë, nuk ka të rinj shembull i identiteteve të forta, por vetëm parazit, tregtarë të vetvetes. Tregtia e jetës private është arma e fundit e shoqërive perëndimore veçanërisht i atyre segmenteve modelformuese që i heqin njerëzve tiparet e tyre diskrete dhe intime. Për të përmbushur këtë detyrë përdoren mediat e shkruara dhe sidomos ato elektronike, dhe kush i disponon ka në dorë një armë të fortë imponimi modelesh për të shndërruar masën në një turmë me trushplarë, te cilës i shiten vetëm ato produkte të imponuara nga modelformuesit që tentojnë të shkëpusin këtë masë nga problemet me rëndësi jetike. Gjuha italiane përdor për fjalën turp një term kuptimplotë, vergogna e ardhur nga latinishtja vereor dhe gognam që në shqip përkthehen i frikësohem ekspozimit tim publik. Të rinjtë pjesëmarrës në emisione të tilla transmetojnë pikërisht të kundërtën: nuk kam frikë, nuk kam turp nga opinioni publik për brendësinë time sepse pacipësinë e kam shndërruar në virtytin tim. Kjo përshkon gjithë  shfaqen e pjesëmarrësve. Ku qëndron roli i mediave këtu? Në fshirjen e kufijve të paturpësisë nëpërmjet pretendimit se kështu jemi të sinqertë, pasi fundja, nuk kemi asgjë nga e cila duhet të kemi turp. Kjo parullë jo vetëm është shfajësuese, por edhe një sfidë ndaj ekspozimit përballë të jashtmes, ku ekspozimi (paturpësia) transformohet në vlerë! Është e çuditshme si në shoqëri tejaskajs

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›